Bushati në Top Talk: Ministrja Gjonaj e ka detyrim të sqarojë publikun për disa akuza që i janë adresuar publikisht

21/02/2020 18:09

Në studion e emisionit “Top Talk” të drejtuar nga gazetari Denis Dyrnjaja ishte i ftuar analisti Andi Bushati. Biseda u orientua në sulmet mediatike midis Presidentit të Republikës Ilir Meta dhe Ministres së Drejtësisë Etilda Gjonaj. Fillimisht me anë të një konference presidenti Meta kërkoi dorëheqjen e ministres, duke pretenduar se Gjonaj ka shkelur ligjin me vendimin e dhënë për  botimin e fletoreve zyrtare të akteve KED (Këshilli i Emërimeve në Drejtësi).

Sipas presidentit këto botime nuk duhet botuar në fletore zyrtare, por vetëm në faqen zyrtare në internet të Gjykatës së Lartë. I menjëhershëm ishte dhe reagimi i ministres Etilda Gjonaj, e cila me anë të një postimi në Twitter është shprehur se është e gatshme të përballet ligjërisht me të gjitha akuzat e ngritura nga presidenti Meta. Duke ironizuar se është e gatshme të drejtohet drejt SPAK, një strukturë që ka dalë nga Reforma në Drejtësi, reformë të cilën presidenti e kritikon shpesh. Ndërkohë që Analisti Bushati gjatë argumentimit të mbrojti presidentin duke i dalë në këtë mënyrë kundër ministres. Ai u shpreh se ministrja duhet t’i përgjigjet akuzave të ngritura nga Meta. Sipas tij Gjonaj është duke manipuluar të gjithë situatën duke kamufluar në këtë mënyrë të gjithë akuzat e ngritura në drejtim të saj.

“Më thotë një manipulim sepse unë ju them juve keni shkelur ligjin një një pikë, në dy pikë, në tre pikë, në katër pikë dhe për këtë unë mendoj se duhet të japësh dorëheqjen. Ti në vend që të përgjigjesh për pikat, në këtë rast ministrja, që nuk e kam dhënë unë urdhrin për t’u botuar vendimi që e bënte atë gjykatëse kushtetuese në fletoren zyrtare, nuk jam e implikuar në këtë gjë. Unë them, sa mirë që një njeri që është armik i reformës në drejtësi po i drejtohet SPAK-ut, kjo është retorikë. Respekti për publikun ta kërkon, që kur të thonë  këtë gotë ujë e ke pirë ti. Ti  thua ose e kam pirë ose se kam dhe jo se ku është fabrika ku prodhohet uji. Fakti që shmangemi nga thelbi i debatit, na tregon se kush janë të fajshmit në këtë debat”, u shpreh Andi Bushati.

Top Channel