Në praktikën tonë të punës si mjeke okuliste, situata të tilla kur gjatë një egzaminimi rutinë, duke mbyllur njërin sy për të provuar shikimin pacienti zbulon rastësisht se me syrin tjetër nuk shikon ose konstaton shikim të dobët, nuk janë të rralla. Më shpesh kjo gjë konstatohet gjatë vizitave për marrjen e patentës ose check-up rastësor. Çfarë ka ndodhur?


Dr. Teuta Haveri
Shkaku më i zakonshëm në një sy në dukje të shëndetshëm është egzistenca e Anisometropisë, diferenca në refraksion (numra të syzeve) midis të dy syve. Diferenca të vogla në refraksion prej 0,25 ose 0,5 D janë të zakonshme, por anizometropi klinikisht e rëndësishme quhet diferenca prej më shumë se 2 Dioptri. Në një situatë të tillë, nga secili sy, në tru përcillen dy imazhe me cilësi të ndryshme. Ai që vjen nga syri me numër më të madh, i deformuar dhe jo i qartë dhe një imazh tjetër korrekt në formë, cilësi dhe madhësi nga syri i shëndetshëm ose me numër më të vogël. Korteksi cerebral, në të cilin përpunohet imazhi viziv dhe analizohet pamja binokulare, nuk mund të mbivendosë dy imazhe të tilla kaq të ndryshme dhe për pasojë, imazhi i përcjellë nga syri me numër më të madh suprimohet duke çuar në ulje definitive të shikimit. Syri bëhet ambliopi ose dembel. Anisometropia kur zbulohet në moshë të vogël, 4-5 vjeç, trajtohet me syzat e duhura dhe okluzionin (mbylljen me fasho) të syrit të shëndetshëm dhe nuk sjell prapambetje definitive të shikimit. Nëse zbulohet në moshë madhore, mbi 18 vjeç, situata është pak më e komplikuar. Korteksi dhe rrugët e pamjes, kanë arritur pjekurinë rreth moshës 10 vjeçare dhe terapia e okluzionit nuk mund të ndikojë më. Kontrollet e detyrueshme të fëmijëve, të kërkuara rutinë në moshat shkollore dhe parashkollore, para regjistrimit në ciklin mësimor, janë të vetmet që mundësojnë evidentimin dhe trajtimin në kohë të anisometropisë dhe ambliopisë së shkaktuar prej saj. Megjithatë raste të anisometropisë të neglizhuara në të shkuarën dhe me pasojë ambliopi të instaluar janë serish prezente tek adultët.

Ç’mund të bëhet në këto raste?
Ambliopia (dembelizmi) në varësi të fuqisë së mbetur të shikimit klasifikohet në 3 grupe:
1- E lehtë (me Visus mbi 5/10)
2- E mesme (me Visus 1/10 – 5/10)
3- E thellë (me Visus më të ulët se 1/10)
Hap i parë dhe më i rëndësishëm është diagnostikimi i saktë i shkakut të ambliopisë. Pacienti i nënshtrohet një egzaminimi oftalmologjik të kompletuar që përfshin përcaktimin e Visus (pamjes) së pakorrigjuar (uncorrected visual acuity) dhe asaj të korrigjuar maksimalisht (best corrected visual acuity), matja e tensionit intraokular, egzaminimi i kujdesshëm i retinës dhe nervit optik për të përjashtuar patologjitë bashkëshoqëruese të këtyre strukturave (glaukoma, katarakta, patologjitë degjenerative retinale etj), matja e refraksionit me cycloplegji.

Egzaminime komplementare mund të jenë të nevojshme për të precizuar diagnozen si p.sh egzaminim i topografisë korneale për të përjashtuar sëmundjen e keratokonsit, egzaminimi i OCT (Optical Coherence Tomography) për të përjashtuar sëmundjet e makulës (qendrës së shikimit).
Në rastet e ambliopisë refraktive të pastër, për shkak të anisometropisë (differences në numra midis dy syve) evidentohet syri ambliop dhe përcaktohet me kujdes best corrected visual acuity (mprehtësia më e mirë e pamjes që mund të arrihet nga korrigjimi me numrin përkatës të syzeve). Pacientit i rekomandohet korrigjimi përkatës me syza apo lente kontakti. Në diferenca refraksioni me shumë se 3 Dioptri midis syve, preferohet korrigjimi me lente kontakti, sepse korrigjim me syze me diferencë të theksuar në numra, mund të bëhet shkak për mostolerancë, difuzion dhe dhembje koke.
Në mundësi optimale trajtimi në këto raste paraqet kirurgjia refraktive, operacionet për eleminimin definitive të refraksionit (numrit) të syrit të prekur. Duke realizuar korrigjimin definitiv të numrit, nëpërmjet saj, arrihet maksimalizimi i fuqisë reziduale të shikimit të syrit ambliop (dembel). Bazuar në eksperiencën konkrete të trajtimit të shumë rasteve të tilla, pacienti pas këtyre operacioneve rikuperojnë deri në 2/10 më tepër fuqi shikimi sesa me korrigjimin syza/lente.
Në varësi të numrit që duhet korrigjuar, pacienti mund t’i nënshtrohet kirurgjisë së ablacionit me laser të kornesë (LASIK,LASEK,PRK). Për numrat sferike më të mëdhenj se 10 D ose astigmatizmat më të mëdhenj se 5 D, kryhen operacione me lente intraokulare të llojeve të ndryshme (të kamerës anteriore, posteriore, torike, ICL,piggy back lens etj)

Përzgjedhja e llojit të interventit bëhet në bazë të numrit që ka syri ambliop, refraksionit subjektiv më të përshtatshëm për pacientin (best corrected visual acuity) si dhe karakteristikave strukturale të syrit të pacientit. Këto të fundit përcaktohen në bazë të egzaminimeve specifike sidomos topografisë korneale, biometrisë, ekografisë okulare dhe Optical Coherence Tomography ( OCT) e segmentit anterior.
Parametrat më të rëndësishëm në të cilët mjeku mbështetet për të ofruar kirurgjinë refraktive dhe zgjedhjen e llojit të saj janë : refraksioni (BCVA), refraksioni me cycloplegji, trashësia korneale centrale dhe minimale (pakimetria korneale), thellësia e kamerës anteriore, përmasat e këndit të dhomës anteriore të syrit, vlera e rrezeve korneale, keratometrite, matja e gjatësisë aksiale, biometria okulare.
Eleminimi definitive i numrit të syrit ambliop nëpërmjet kirurgjisë refraktive, rrit fuqinë e shikimit të syrit dembel, por edhe zgjeron fushën e pamjes dhe kontribon në cilësinë e pamjes binokulare.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA