Një anije shqiptare e përfshirë në thyerjen e embargos së armëve ndaj Libisë është goditur me kundërtank në Tripoli.
Anija e ngarkuar me armë dhe municion ishte nisur nga Mersini i Turqisë drejt Libisë ku dhe është goditur nga forcat rebele të gjeneralit Khalifa Haftar.
Anija është goditur dy ditë më parë pas akostimit në portin e Tripolit. Menjëherë është akuzuar Turqia për thyerje të embargos, por ajo ka mohuar që anija e goditur të jetë turke.
Hetimet e nisura për zbardhjen e ngjarjes që krijon një incident diplomatik ndërkombëtar kanë zbardhur faktin se anija e përdorur për trafikun e armëve mes Turqisë dhe Libisë është shqiptare.
Anijes ”Ana” i është fshirë emri në bash dhe në kiç për të vështirësuar identifikimin e saj, por hapja e AIS-it ka çuar në zbulimin e saj. Burime nga ekuipazhi i anijes shqiptare bëjnë të ditur për TCH se ata janë larguar nga anija në Turqi dhe pas kësaj mjeti lundrues është pajisur me një ekuipazh turk që ka marrë përsipër lundrimin e radhës.
Ngjarja nuk është bërë ende publike, ndërsa edhe autoritetet shqiptare janë përfshirë në hetimet mbi rastin dhe rolin e pronarit të anijes në këtë thyerje të embargos së armëve me Libinë.
Goditja e anijes ka shkaktuar panik në portin e Tripolit dhe për shkak të pranisë së depozitave të shumta me karburant dhe gaz, si dhe sulmeve të tjera që mund të ketë nga forcat e Haftarit.
Top Channel