Shqipëria është e gatshme të zhbëjë kufirin me Kosovën, deklaroi në Prishtinë, ministri në detyrë për Evropë dhe Punë të Jashtme i Republikës së Shqipërisë, Gent Cakaj.
Këto komente ai i bëri gjatë takimit me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi i cili i kishte propozuar qeverisë shqiptare, në fund të 2019, që së bashku ta heqin kufirin me Kosovën.
“Kosova dhe Shqipëria momentalisht kanë një kufij simbolik dhe realisht nuk duhet të kenë kufij fare. Ne realisht jemi të gatshëm të fillojmë punën menjëherë për zhbërjen e kufirit mes Kosovës dhe Shqipërisë dhe për krijimin e një hapësire të lirë të qarkullimit të kapitaleve dhe burimeve njerëzore. Meqenëse në shumë aspekte mund të plotësojmë njëra tjetrën. Në këtë kuptim do të jetë më shumë çështje e koordinimeve të hapave teknik, se sa vendosjes së pikëpyetjeve politike”, shprehet Cakaj.
Ndërkohë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha se ministri Caka, i cili është nga Kosova, i ka dhënë një shpirt të ri të afirmimit të shtetit të Kosovës në botë.
“Të kemi një hapësirë kudo që jetojnë shqiptarët në rajonin tonë, një hapësirë pa kufij të lëvizjes së njerëzve dhe mallrave në përputhshmëri me standardet euro-atlantike. Kam besim që këtij vizioni do t’i jep një shtytje të madhe në lidershipin e tij edhe ministri Cakaj”.
Kryediplomati shqiptar ndërkohë këmbëngul në krijimin e ambasadave të përbashkëta dhe koordinimin më të madh diplomatik mes Tiranës dhe Prishtinës. Gjatë vizitës në Kosovë, Cakaj u takua me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, kryetaren e kuvendit Vjosa Osmani dhe ministrin e jashtëm Glauk Konjufca.
Top Channel