760 punonjësit e rafinerisë së përpunimit të naftës Ballsh prej 5 muajsh nuk marrin rrogat. Prej disa ditësh ata kanë nisur protestat duke kërkuar që t’u paguhen detyrimet e prapambetura.
Ata kërkojnë gjithashtu që nga ana e Albpetrolit të zbatohet ligji për dokumentacionin e naftëtarëve që plotësojnë kushtet për pension të parakohshëm. Atyre u duhet vërtetimi i posacëm nga Albpetroli që të fillojnë procedurat e marrjes së pensionit, dokument që shoqëria nuk ua jep.
Fiks Fare zhvilloi disa intervista më një grup naftëtarësh që protestonin para prefekturës së Fierit dhe që kërkonin që shteti të ndërhynte për të marrë rrogat e prapambetura që nga shtatori i viti të kaluar. Ata njëzëri shprehen se pag e tyre është e vetmja e ardhur në familjet e tyre.
“Nuk kemi me çfarë të ushqejmë fëmijët dhe të moshuarve nuk dimë se me çfarë t’ua blejmë ilaçet” shprehet njëri prej naftëtarëve. Edhe pse përfaqësuesit e tyre janë ulur në tryezë më kompaninë Tosk Grup e cila menaxhon aktualisht këtë rafineri u është thënë se brenda një afati të shkurtër do bëhet likujdimi i pagave. Por kanë kaluar më shumë se 10 ditë dhe ende gjendja e naftëtarëve është po e njëjta, pa rroga. Aktualisht ata ngrenë shqetësimin se janë edhe pa punë pasi kompania nuk ka lëndë të parë, naftë.
“Kjo është një gjë e pakonceptueshme për ne që nuk ka lëndë të parë pasi aktualisht në Marinzë prodhohet 4 ton naftë në ditë” shprehet një tjetër punonjës i rafinerisë. Edhe nga takimi që kanë pasur me Ministrinë e Energjitikës punonjësit shprehen se nuk kanë marrë ndonjë përgjigje konkrete se çfarë do bëhet me ta.
Por përveç pagave të prapambetura dhe mbylljes së përkohshme të rafinerisë që nga shtatori i 2019-ës, punonjësit ngrenë një tjetër shqetësim. Ata nuk arrijnë të marrin nga Albpetrol vërtetimin e posaçëm që të fitojnë pensionin e parakohshëm siç parashikohet në ligj. Të drejtë ligjore që disa prej tyre e kanë fituar tashmë.
Për të marrë informacion më të plotë Fiks Fare iu drejtua Institutit të Sigurimeve Shoqërore Fier dhe Albpetrolit.
Andius Olldashi Drejtor Rajonal i ISSH Fier pohon se janë në dijeni të problemit që kanë ngritur naftëtarët, pasi ligji ka marr formën e prerë që në shtator të 2019.
“Bëhet fjalë për 1000 persona që përfitojnë për momentin nga ligji NR. 29/2019 “Për trajtimin financiar, suplementar të punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë, të punonjësve të industrisë së naftës e të gazit dhe të punonjësve që kanë punuar në metalurgji”, por “Albpetroli” nuk u jep një Vërtetim të Posaçëm për të kryer këto procedura” shprehet Olldashi. Ai pohon se Albpetroli pranë ISSH Fier ka dorëzuar vetëm dokumentacionin deri në vitin 1993 dhe jo më pas. “Nga sa di unë janë rreth 2400 ish naftëtar që do të përfitojnë nga ky Vendim i Këshillit të Ministrave. U jemi drejtuar dhe me shkresa zyrtare dhe operatorëve të tjerë që operojnë në fushën e shfrytëzimit të naftës, por problem ka nxjerr vetëm Albpetroli. Kam kërkuar takim zyrtar, por nuk kanë pranuar. U kemi dërguar tabelat e gatshme se si duhen plotësuar formularët, por përgjigjja ka qenë se presin të dal një V.K.M tjetër ” përfundon drejtori.
Më pas gazetarët e Fiksit iu drejtuan edhe Albpetrolit në Patos duke kërkuar informacion pranë kësaj drejtorie. Por Drejtori i Marketingut Ened Janina, kërkoi që gazetarët t’i drejtoheshin kompanisë në mënyrë zyrtare me email.
Edhe nga një letërkëmbim midis Albpetrolit dhe ISSH-së Fier mësohet se Albpetrolit supozon se tejkalon kompetencat në plotësimin e formularëve pasi sipas Vendimit të KM nr 526 dt 20.12.1958 ‘Për ndarjen e punëve në kategori për efekt pensioni’ dhe veç profesionet dhe detyrat e tjera që parashikohen në ligjin 29/2019 por të papërcaktuara në vendimin KM nr 526, kompania Albpetrol thekson se duhet një akt normativ që të rregullojë këtë ngërç. Nga ana tjetër drejtori Olldashi thekson se sipas tij akti normativ për rregullimin e ligjit nr 29/2019 nuk e pengon shoqërinë Albpetrol të përcaktojë dhe zbatojë Vendimit të KM nr 526. Ndërkohë që të gjitha operatorët e tjerë i kanë plotësuar këta formularë, kurse shoqëria Albpetrol jo edhe pse ka një fluks të madh aplikimesh.
Top Channel