Pas krijimit të institucioneve të Kosovës më 3 shkurt, në Kuvendin e Kosovës është konstituar edhe Komisioni për Integrime Evropiane.
Kryetari i tij, Armend Zemaj, tha se komisionin e presin detyra të rëndësishme dhe për këtë, është i nevojshëm kapërcimi i barrierave pozitë-opozitë.
“Na presin detyra dhe obligime shumë të mëdha në avancimin e rrugës sonë drejt integrimeve tona evropiane, por mos të harrojmë edhe ato euroatlantike. Andaj edhe si pjesë e reformave dhe të avancimit të agjendës evropiane kërkohet angazhim dhe punë e përbashkët. Ky komision i tejkalon raportet pozitë dhe opozitë kështu është praktikuar edhe në të kaluarën”, thotë Zemaj.
Për anëtaren e komisionit nga radhët e PDK-së, Blerta Deliu, fokusi duhet vendosur tek liberalizimi i vizave.
“Është shumë e nevojshme që të shtrihet një fushatë e re në raport me intenstifikimin e agjendës sonë për çështjen e vizave e di që është njëra prej temave kryesore që prek qytetarët e vendit”, thotë Deliu.
Edhe anëtarët e tjerë të komisionit kanë shprehur mbështetje për procesin e integrimit evropian të Kosovës, duke premtuar se për ecjen drejt këtij qëllimi, nuk do të ketë pengesa partiake.
Top Channel