Tiranë- Është arrestuar autori i grabitjes së ndodhur mesditën e sotme në qytetin e Elbasanit.
Burime për gazetaren e Top Channel, Anila Hoxha bëjnë me dije se autori i grabitjes së argjendarisë është Astrit Thaçi i cili është kapur në Yzberisht të Tiranës.
Të njëjtat burime bëjnë me dije se i arrestuari është autori i tentativës për grabitje në zonën e Durrësit ku si pasojë mbeti i plagosur i zoti i shtëpisë.
Ai në momentin që është arrestuar ka qenë duke pirë kafe në zonën e Yzberishtit në Tiranë. Ndërkohë në operacionin e arrestimit të tij kanë marrë pjesë Forcat Operacionale si dhe Hetimi i Krimeve në Durrës.
Grabitja e argjendarisë në Elbasan nga Astrit Thaçi ndodhi rreth orës 12:30, ku ai nën kërcënimin e një pistolete ka mundur të marrë një sasi të konsiderueshme florinjsh dhe parash. Në vendin në lagjen “Aqif Pasha” e ngjarjes është gjetur edhe pistoleta me të cilën i arrestuari kreu grabitjen.
Ndërkohë rezulton që i arrestuari është autori edhe i grabitjes me pasojë plagosjen rreth një javë më parë në Durrës. Astirti Thaçi tentoi të hynte për të grabitur në një banesë në lagjen nr.13 po ky i fundit është pikasur nga i zoti i shtëpisë i cili është përpjekur ta ndalojë. Në këtë moment grabitësi ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar mbi të zotin e shtëpisë duke e plagosur në këmbë dhe më pas është larguar në drejtim të paditur.
Top Channel