Banka e Shqipërisë vlerëson se tërmeti i 26 nëntorit mund të ngadalësojë rritjen ekonomike të këtij viti deri në 0.6 pikë përqindje duke i shkaktuar ekonomisë shqiptare një humbje prodhimi prej 70 milionë eurosh.

Në raportin e politikës monetare, Banka Qendrore sqaron se goditja nga tërmeti e dëmton ekonominë në dy kanale, edhe pse këto efekte negative sipas saj pritet të jenë afatshkurtra.

Së pari, rritja e pasigurisë tek bizneset dhe konsumatorët. Sipas Bankës pasiguria e krijuar nga tërmeti ka të ngjarë të përkeqësojë perceptimin e familjeve dhe bizneseve shqiptare, të cilat mund të hezitojnë në kryerjen e shpenzimeve të konsumit dhe të investimeve të reja. Sinjalet e para për rritjen e pasigurisë tashmë janë konfirmuar nga vrojtimi i fundit i besimit te bizneset dhe konsumatorët.

Por veç rritjes së pasigurisë, pasojat më të mëdha ekonomike të tërmetit pritet të materializohen në sektorin e turizmit. Sipas Bankës së Shqipëri, turizmi në qarqet e goditura më rëndë nga tërmeti mund të reduktohet për shkak të dëmtimit të strukturave përkatëse dhe të efekteve psikologjike tek pushuesit, vendas dhe të huaj. Ndërkohë një tjetër kanal transmetimi mbetet rënia e prodhimit për shkak të dëmtimit të fabrikave.

Ekspertët e Bankës së Shqipërisë shpresojnë se një pjesë e këtyre efekteve negative do të amortizohen nga stimuli pozitiv i programit të rindërtimit, i cili pritet të injektojë rreth 180 milionë euro në ekonomi për rindërtimin e shtëpive të dëmtuara. Por sipas bankës, masa e rikuperimit të humbjeve ekonomike nga tërmeti do të varet nga shpejtësia me të cilën do të zbatohet programi i rindërtimit.

Top Channel