Me 114 vota pro dhe asnjë kundër Parlamenti i Maqedonisë së Veriut miratoi Protokollin për anëtarësim të vendit në NATO.

Presidenti i Maqedonisë së Veriut Stevo Pendarovski tha, se vendi ka kaluar nëpër shumë kriza politike, por përcaktimet për NATO dhe BE, nuk kanë ndryshuar asnjëherë. “Qytetarët mbështesin këtë proces”, tha Pendarovski. Ndërsa kryetari i Parlamentit Talat Xhaferi nënvizoi momentin historik, të cilin e ndau bashkë edhe me kryetarët dhe përfaqësuesit e parlamenteve të vendeve anëtare të NATO-s. Sipas tij Maqedonia e Veriut është veterane në aderimin në NATO, dhe rrumbullakësimi i agjendës reformuese pothuajse tri dekadëshe të NATO-s, do të thotë edhe fillim i një ere të re në Aleancë, bashkë me 29 vendet-anëtare të tjera.

Protokolli për anëtarësim në NATO është teksti i marrëveshjes, i hartuar më 4 prill të vitit 1949 dhe për herë të parë është nënshkruar në Uashington. Në Marrëveshjen e cila ka 14 nene, mes të tjerash thuhet se nënshkruesit detyrohen të zgjidhin çfarëdo kontesti ndërkombëtar, në të cilët ata mund të jenë të përfshirë, me mjete paqësore, në mënyrë që të mos rrezikohet paqja ndërkombëtare, siguria dhe drejtësia dhe në kuadër të marrëdhënieve ndërkombëtare do të përmbahen nga kërcënimet ose nga përdorimi i forcës, në çfarëdo mënyre qoftë, që nuk është në pajtueshmëri me Kombet e Bashkuara.

Parlamenti i Maqedonisë së Veriut duke ndjekur shembullin e malit të zi, ratifikoi para kohe protokollin, kjo për shkak të zvarritjes së krijimit të institucioneve të reja në Spanjë, shtet i cili është i vetmi, që ende nuk e ka ratifikuar marrëveshjen për aderim të Maqedonisë së Veriut në NATO dhe zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 12 prillit në Maqedoninë e Veriut. Pas ratifikimit në ceremoninë e rastit u realizua ngritja e flamurit të NATO-s para godinës së Parlamentit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA