Operacioni Forca e Ligjit, të mërkurën ka dërguar dy formularë të tjerë për deklarimin e burimeve të pasurisë, subjekteve të përfshirë në aktivitete kriminale, Dritan Dajti dhe Xhevdet Troplini.

Dritan Dajti, rezulton i dënuar për veprat penale, “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese, Mbajtja pa leje e armëve luftarake, falsifikim i dokumentave dhe mbajtja pa të drejtë e uniformës. Në vitin 2009, ai ekzekutoi katër efektivë të policisë në Durrës, të cilët ishin të përfshirë në operacionin e arrestimit të tij, pasi ky i fundit ishte në kërkim për vrasjen e biznesmenit Agim Beqo në vitin 1999.

Dajti njihet edhe për arratisjen e tij spektakolare nga dhomat e izolimit të Gjykatës së Tiranës, në vitin 2003, pak përpara se të niste seanca ndaj tij, pikërisht për vrasjen e biznesmenit Beqo. Dritan Dajti, mundi të qëndronte në arrati gjashtë vite, deri në momentin kur vrau katër policët.

Subjekti i dytë është Xhevdet Troplini, i njohur ndryshe edhe si Poje Troplini. Ai rezulton të jetë i dënuar për trafikim të lëndëve narkotike. Troplini u arrestua në vitin 2006, pas përgjimeve të drejtësisë italiane ndaj tij dhe personave me të cilët ai bashkëpunonte. Dosja u vu në dispozicion të drejtësisë shqiptare. Tre ditë përpara arrestimit të Xhevdet Troplinit, policia italiane arrestoi në Bari, disa bashkëpunëtorë të tij, të cilët u kapën me rreth 20 kg heroinë.

Emri i tij është lakuar edhe si një biznesmen i cili ka pasur përplasje edhe me Emiljano Shullazin.
Xhevdet Troplini, rezulton të jetë aksioner në kompaninë EUROMAG, e cila ka si qëllim tregtimin e mallrave që shërbejnë në fushën e ndërtimit, si dhe aksioner në kompaninë OVVITAL, e cila objekt punë ka rritjen e shpendëve për prodhim vezësh dhe mishi.

Dritan Dajti dhe Xhevdet Troplini, sipas ligjit special, kanë vetëm dy ditë kohë për të kthyer përgjigje për pyetjet e Operacionit Forca e Ligjit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA