Veliaj mesazh në 100-vjetorin e Tiranës: Të jemi bashkë si në kohën e Skënderbeut dhe Pavarësisë

11/02/2020 19:46

Mesazhi i bashkimit ishte kryefjala e fjalës përshëndetëse të Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj në pritjen e organizuar në Pallatin e Brigadave me rastin e 100 vjetorit të shpalljes Kryeqytet.

Në ceremoni ku merrnin pjesë kryeministri Edi Rama, ambasadorë, ministra përfaqësues të klerit e të medias, dhe personalitete të larta, Veliaj theksoi se më shumë se kurrë ky është momenti që shqiptarët të jenë bashkë për të mirën e vendit për të ecur përpara, ashtu siç shqiptaret u bene bashke per te shpallur Pavaresine apo per te mbledhur Kongresin e Lushnjes.

“Nuk e di nese i ndoqe parmbrëmë çmimet Oscar, por nuk m’u shqit nga mendja një fjali e aktorit Joaquin Phoenix, i cili tha: Mendoj se, pikërisht kur mbështesim njëri-tjetrin, ne nxjerrim më të mirën nga zemra jonë. Kjo më bëri të pyesja: Po ne shqiptarët, tironsit, kur e japim më të mirën tonë? M’u desh të kthehesha pak historisë tonë si komb për të kujtuar se në fakt, edhe ne e japim më të mirën tonë kur jemi të gjithë bashkë. Shikoni epokën e Skëndërbeut, kur u bëme bashkë dhame më të mirën tonë dhe i rezistuam fuqisë së asaj kohe, kujtoni kohën e pavarësisë, kur u bëmë të gjithë bashkë shpallëm këtë shtet modern edhe të pavarur; po ashtu, u beme bashke ne Kongresin e Lushnjes; kujtoj Luftën e Dytë Botërore, ky është i vetmi qytet që u çlirua pa ushtrinë sovjetike, pra pa ndihmë nga të huajt, por u çliruam sepse ishim bashkë si shqiptarë ndaj një kauze që ne besonim siç ishte antifashizmi dhe Europa e lirë”, tha Veliaj.

Kreu i Bashkisë u shpreh se edhe sot, të majtë dhe të djathtë duhet të jenë bashkë për të projektuar atë që do të jetë qyteti i 100 viteve të ardhshme. “Edhe sot këtu jemi bashkë të majtë dhe të djathtë, jemi bashkë den baba den dhe të ardhur. Do doja shumë dhe lutja ime është që të jemi bashkë si tani, edhe jashtë mureve të kësaj ndërtese historike. Kjo mbrëmje është mjaft e rëndësishme për ne, jo vetëm për të reflektuar për atë çka është bërë deri më sot, por për atë që duam të projektojmë në qytetin e 100 viteve të ardhshme. Gjatë këtij përvjetori ne shpresojmë që të bëjmë pikërisht këtë. Të kuptojmë historinë tonë, rrugën që na ka sjellë deri këtu, ku jemi sot dhe sesi i ka dhënë formë kësaj të tashmeje, jo vetëm si qytet, por edhe si individë, si jemi formuar ne si individë nga qenia në Tiranë, familjet tona si janë formuar, qyteti ynë si e ka marrë këtë formë? Të kujtojmë cilët jemi dhe nga vijmë, si të përmirësohemi dhe ku duam që të shkojmë”, deklaroi ai.

Kryebashkiaku u shpreh se kur të gjithë qytetarët e konsiderojnë Tiranën si shtëpinë e tyre të madhe, atëherë mund të bëhen mrekullia. Veliaj theksoi se kryefjala e shekullit të ri të Tiranës si kryeqytet është ringritja. “Kur ne tironsit, e quajmë këtë qytet shtëpinë tonë punojmë, ne mund të bëjmë mrekulli së bashku. Kur jemi bashkë ne jemi qenie më të mira njerëzore, jemi shqiptarë më të mirë, jemi tironsa më të mirë, që punojmë për suksesin e qytetit ku kemi vendosur të jetojmë dhe të rrisim fëmijët tanë. Kur bashkëpunojmë dhe ndihmojmë njeri- tjetrin që të ecim përpara, ku ndihmojmë të edukojmë njeri – tjetrin, kur udhëheqim atë që kemi në krah në rrugën e ringritjes. Fjala ringritje është ndoshta fjala më e përdorur nga kryeministri dhe gjithë ekipi i tij qeverisës këto kohë. Edhe në fakt, në ditët pas tërmetit të 26 nëntorit kam kuptuar që është fjala që duhet të kthehet në refren të shekullit të ri, që fillon nesër për Tiranën, ringritje, ringritje, ringritje, me çdo çmim dhe me çdo kusht për Tiranën”, shtoi më tej Veliaj.
Kreu i Bashkisë dha lajmin e mirë se shumë shpejt, bashkë me qeverinë do të fillojë puna për 9 lagjet e reja që do të ngrihen pas tërmetit. “Siç rrëzohemi bashkë, ne do të ringrihemi bashkë dhe në Tiranë jemi duke përgatitur me Kryeministrin Rama 9 lagje të reja në periferi dhe në zonat urbane për t’u siguruar që shekulli i ri na gjen më të fortë dhe më të vendosur për modernizim dhe për të ecur përpara”, nënvizoi Veliaj.

Ai theksoi se metafora më e bukur e Tiranës së sotme është ajo e familjes së shenjtë që i ngjason një qyteti kozmopolitan. “Metafora më e bukur e Tiranës është familja jonë e shenjtë. Një punë që nuk mbaron kurrë dhe që jo 100 vite, por mijëra vite do të duhen për ta çuar deri në fund misionin e arkitekturës që ne kemi në kokë dhe misionin që shpresojmë për Tiranën tonë, një familje të shenjtë dhe një punë gjithmonë në progres. Sot dua t’ju kujtoj që ky qytet nisi përpara 100 vitesh me 10 mijë banorë, në 100 vite jemi rritur 100 herë dhe kemi kapur 1 milionë, jemi 1 milionë zemra, jo vetëm shqiptare, për herë të parë Tirana ka kaluar 130 kombësi të huaja, duke e kthyer atë në një qytet realisht kozmopolitan. Dhe duam t’ju themi në 130 gjuhë të botës “Jeni të mirëpritur!” në qytetin tonë dhe shtëpia jonë është edhe shtëpia juaj”, deklaroi ai, teksa shtoi se Tirana është sot një kryeqytet evropian, falë ndryshimeve që nisën që në vitet 2000 nga kryeministri Rama dhe që po vijon edhe sot.

“Më bukur se kaq është shpallur zyrtarisht Kryeqyteti Evropian i Rinisë për vitin 2022 dhe mezi pres ta kthejmë në një histori suksesi të gjithë bashkë Kryeqytetin Europian të Rinisë. Sot edhe këtu në këtë sallë ka vajza që kodojnë, ka edhe djem që gatuajnë, ka të premte për të ardhmen e atyre që pedalojnë me biçikletë dhe shfaqje talentesh si nxënësit që kemi këtu sot në konkurset e Tirana Art’Fest, ka platforma debatesh, ka edhe misione vullnetarësh, akt ë rinj që duan të ndryshojnë botën, por ka edhe të tjerë që duan të ndryshojnë lagjen e tyre”, u shpreh Veliaj.

Ndërsa kryeministri Rama e ka cilësuar Tiranën me Amerikën e Vogël ku çdo kush sheh se si i realizohen ëndrrat dhe ndërton të ardhmen. Para të ftuarve, personaliteteve dhe ambasadorëve të SHBA-BE-së, kreu i qeveria u shpreh se sfidat për shekullin e ri që nis nesër janë të shumta për Tiranën.
“Dua t’i referohem Kadaresë kur thotë se ‘Tirana gdhin aq pabesisht e hijshme sa nuk di për çfarë ta marrësh delir apo qytet’. Kjo frazë i ka brenda të gjitha. Tirana është Amerika jonë e vogël. Tani kohët ka ndryshuar dhe me të drejtë, Amerika na kërkon të bëhemi si Amerika sot.

Është vendi ku njerëzit vijnë dhe kanë një ëndërr. Duke parë si u shkëlqejnë sytë ambasadorëve nuk jemi keq. Keq nuk jemi, do të jemi shumë më mirë pa diskutim, edhe nëse nuk jemi ne të zotë. Lum si ne që jetojmë në Tiranë” tha ai.

Top Channel