Administrata e Presidentit amerikan Donald Trump ka propozuar një ulje prej 21 përqind të ndihmës që Shtetet e Bashkuara u japin vendeve të tjera.

Kërkesa në buxhet për programe të tilla është 44.1 miliardë dollarë, nga 55.7 miliardë që ishte miratuar për vitin e tanishëm fiskal. Disa ligjvënës dhe analistë të tjerë parashikojnë se plani i Presidentit Trump për të ulur me një të pestën ndihmën për jashtë nuk do të mund të miratohet dot në Kongres, veçanërisht në këtë vit zgjedhor.

Dhoma e Përfaqësuesve, e kontrolluar nga demokratët, edhe vitin e kaluar e kundërshtoi propozimin e Trump për të ulur ndihmën e huaj. Kërkesa e Presidentit për një buxhet mbrojtjeje prej 740.5 miliardë dollarësh dërguar Kongresit, përfshin ndërkohë më shumë para për armë bërthamore dhe një rritje të madhe të shpenzimeve për kërkime, që vendi të jetë i përgatitur për luftërat e së ardhmes.

Ky është buxheti më i madh i kërkuar nga Pentagoni në fushën e hulumtimeve gjatë 70 vjetëve. Kërkesa vjen ndërkohë që ushtria synon të ndërtojë aftësi të reja për t’iu kundërvënë fuqisë në rritje të Kinës dhe Rusisë. Kërkesat për buxhetin e Pentagonit përfshijnë 69 miliardë dollarë për të financuar luftërat e tanishme dhe nevoja të tjera të Pentagonit.

Top Channel