Shumë pak njerëz e dinë, por në Shqipëri ekziston edhe një linjë për këshillimin e burrave që dhunojnë gratë e tyre.
“Nëse duam t’i japim ndihmë viktimës, patjetër duhet punuar me të, por njëkohësisht duhet të punojmë edhe me dhunuesin. Përvoja na ka mësuar një mësim të rëndësishëm. Çdonjëri nga ne meriton një shans të dytë” tha Iris Luarasi.
Linja funksionon që nga viti 2012. Punonjësit bëjnë seanca terapie me psikologun, që është i trajnuar posaçërisht për burrat dhunues.
“Kjo linjë ka marrëveshje më burgjet dhe shërbimet e provës, ku vuajnë dënimin burrat dhunues. Vetëm vitin e shkuar kemi trajtuar 100 raste, kryesisht nga burgjet dhe shërbimet e provës, shumë pak kanë ardhur te referuar nga gjykatat. Kemi edhe rastet e vetëreferimit, ku e fejuara sjell të fejuarin , mamaja sjell djalin etj.” tha Luarasi.
Linja për këshillimin e burrave dhunues ka për qëllim rehabilitimin e tyre, por edhe parandalimin dhe punën me djemtë nëpër shkolla. Pasi dhuna i ka rrënjët në fëmijëri.
“Praktika ka treguar që një fëmijë i dhunuar kthehet në dhunues kur krijon familjen e tij. Modeli që ai ka në jetë është babai që rrihte nënën.” tha më tej ajo.
Gjatë punës punonjësit kanë evidentuar disa nga arsyet kryesore, që i shtyjnë meshkujt drejt dhunës ndaj grave.
“Ndjenja e pronës, kur mendon se gruaja dhe fëmija janë pronë e jotja dhe ti bën c’të duash me to. Element tjetër është shoqëria patriarkale dhe mentaliteti, ku burri është kryefamiljari dhe të tjerët janë të dorës së dytë. Element tjetër është edhe xhelozia, por që prapë lidhet me mentalitetin. “
Top Channel