Barazimi me Luftëtarin lë pasoja, ndryshime në stafin teknik te Teuta!

11/02/2020 15:25

Barazimi ndaj Luftëtarit fundjavën e kaluar nuk është pritur mirë nga presidenca e Teutës që ka bërë disa ndryshime në stafin teknik.

Siç njofton vetë klubi i Teutës janë shkarkuar nga detyra dy ndihmësit e Edi Martinit Gentjan Begeja dhe Alfred Osmani, ndërkohë që vendin e tyre në skuadër e kanë marrë dy ish-lojtarë të “djemve të detit”, Bledar Hodo dhe Bledian Rizvani.

“KF Teuta ka zyrtarizuar edhe dy anëtarët e rinj të stafit teknik, që do të jenë Bledar Hodo dhe Bledian Rizvani, të cilët kompletojnë stafin blu sepse gjejnë aty edhe përgatitësin atletik, Eduard Salillari.

Edi Martini do të ketë si krahun e djathtë në pankinë një emër të njohur të futbollit durrsak, pikërisht Bledar Hodo. Ndërsa trajneri i portierëve, do jetë Bledian Rizvani.

KF Teuta me këtë rast falenderon Gentian Begejan, dhe Alfred Osmanin, për emocionet dhe punën e tyre me ekipin gjatë kësaj kohe që ishin pjesë e Teutës dhe i urojmë suksese në karrierën e tyre”, njofton klubi i Teutës.

Top Channel