Manastirliu inspekton depon e re të barnave në QSUT: Më shumë siguri për qytetarët

08/02/2020 11:00

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale deklaroi se me indeksimin e fundit të çmimeve për barnat e rimbursueshme, shtohet mundësia për ta zgjeruar më shumë listën e barnave dhe numrin e përfituesve me terapi të reja mjekimi, sidomos për sëmundjet kardiovaskulare dhe tumorale

“Kemi rritur disa herë financimin për barnat si dhe po sigurojmë kushtet bashkëkohore për ruajtjen e tyre, në mënyrë që qytetarët të kenë më shumë siguri për trajtimet medikamentoze”. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu inspektoi depon e re të barnave në QSUT, e cila pritet të përfundojë së shpejti, me standarde bashkëkohore.

“Para disa viteve as që mund të mendohej një investim i tillë, një strukturë bashkëkohore për ruajtjen dhe sigurinë e barnave sepse qytetarët nuk kishin as barnat bazë në spitale, ndërkohë që vetëm në spitale financojmë më shumë se 40 milion dollarë/vit për barnat për qytetarët dhe 100 milion dollarë për barnat e rimbursueshme”, tha Manastirliu.

Duke u ndalur tek rritja e përfitimeve për qytetarët, Ministrja e Shëndetësisë u shpreh:

“Nga indeksimi i çmimeve të barnave të miratuar së fundmi nga qeveria, krijohet mundësia për të rritur përfituesit që marrin falas barnat me rimbursim dhe sigurimin e terapive të reja të mjekimit”.

Sa i takon investimit për depon e re të barnave në QSUT, Manastirliu tha:

“Ky është një investim që në thelb i shërben sigurisë së qytetarëve, barnave të sigurta për ta, kombinimeve të barnave që do të kryhen në kushtet e duhura për terapi sa më efikase për pacientët, ruajtjes me standarde te medikamenteve dhe padyshim edhe transparencës për qarkullimin e barnave brenda shërbimeve të QSUT”.


Ndërtimi i depos qendrore të barnave të QSUT, me një sipërfaqe mbi 2600 metër katror, përfshin edhe aparaturat e teknologjisë së lartë. Depo qendrore e barnave në QSUT do të ketë 7 dhoma frigoriferike për ruajtjen dhe magazinimin e barnave dhe materialeve të mjekimit, sipas standardeve më të mira bashkëkohore. Godina e re qendrore për ruajtjen dhe sigurinë e barnave do të ketë edhe karantinë për barnat e skaduara apo materiale të rrezikshmërisë së lartë.Me përfundimin e ndërtimit të depos qendrore të barnave në QSUT do të garantohet më shumë siguri për qytetarët për ruajtjen e medikamenteve dhe materialeve mjekësore sipas standardeve bashkëkohore.

Top Channel