‘Lufta’ e Kinës/ Inteligjenca artificiale kundër virusit

08/02/2020 12:54

Një burrë që kishte udhëtuar në Vuhan, qytetin që ndodhet në zemër të krizës së koronavirusit në kinë, mbeti i habitur kur policia u shfaq në derën e tij, pas kthimit në shtëpi, për ti kërkuar të masë temperaturën.

Burri, që e kishte vendosur veten në karantinë në Nanjing, në provincën lindore Jiangsu, tha se nuk i kishte treguar askujt për udhëtimin e tij në qytet. Por, duke kontrolluar të dhënat e udhëtimeve nga Vuhani, autoritetet lokale kanë qenë në gjendje ta identifikojnë atë dhe të nisin agjentët në shtëpinë e tij, javën e kaluar.

Ndërsa autoritetet kineze përpiqen të vendosin nën kontroll përhapjen e virusit të ri, që ka prekur tashmë me dhjetëra e mijëra njerëz, Pekini po i kthehet një mjeti të njohur për të gjetur dhe parandaluar infektime të mundshme; gjurmimin e të dhënave dhe inteligjencën artificiale. Disa kompani teknologjike kineze kanë zhvilluar aplikacione për të ndihmuar njerëzit që të kontrollojnë nëse kanë qenë në një avion apo tren me pacientë të konfirmuar si të prekur nga koronavirusi duke u mbështetur në të dhënat e listave të publikuara nga media shtetërore.

Robotët në një shesh publik në provincën Guangdong, ndalojnë kalimtarët që nuk kanë vendosur maska mbrojtëse. Ndërsa në Pekin, një komitet lagjeje, përgjegjës për një kompleks apartamentesh me 2400 shtëpi, thotë se përdor të dhënat e fluturimeve dhe trenave për të gjurmuar udhëtimet e të gjithëve. Përveç mënyrave të ndryshme të kontrollit të temperaturës, kompanitë teknologjike kineze kanë zhvilluar edhe një seri shërbimesh për të ndihmuar me përpjekjet për të kontrolluar epideminë, që nga përgatitja e shpërndarjeve të ilaçeve me dron e deri tek updejtimi i hartës së përhapjes së virusit.

Top Channel