Donald Trump: Pelosi ka shkelur ligjin me grisjen demonstrative të fjalimit tim

08/02/2020 15:40

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump ka pretenduar se kryetarja demokrate e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi ka thyer ligjin kur ka grisur kopjen e fjalimit të tij në Kongres, por nuk tha nëse do të merrte masa mbi incidentin.

Derisa po largohej nga Shtëpia e Bardhë për një vizitë në Karolinën e Veriut, presidenti u ka thënë gazetarëve se gjesti i Pelosit është ilegal.
“Ajo e ka thyer ligjin. Ishte një dokument zyrtar, nuk lejohet, është ilegale çfarë bëri ajo”, ka thënë Trump, ndërsa më parë gjetë hetimeve të shkarkimit e quajtur Pelozin “të çmendur”.

Trump ka përsëritur pretendimet e bëra nga aleatët e tij politikë Charlie Kirk i grupit ‘Turning Point USA’ dhe Matt Gaetz, të cilët u kërkoi krerëve të Komitetit të Etikës, të nisin një hetim për sjelljen e Pelosit.

Kur Trump e përfundoi fjalimin e tij në Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan, prapa shpinës së tij, Pelosi e grisi kopjen e fjalimit. Gjithçka besohet se ka ardhur, pasi Trump refuzoi t’ia zgjaste dorën, duke e lënë në një pozitë shumë të sikletshme.

Ekspertët konsiderojnë se grisja e kopjes së fjalimit të presidentit nuk është ndonjë shkelje ligji, sepse teknikisht nuk është ndonjë procesverbal qeveritar.

Top Channel