Dita më vrasëse e koronavirusit, Kina rekord prej 86 viktimash, vdekja e parë e një amerikani

08/02/2020 15:31

Një total ditor prej 86 viktimash u regjistruan dje në Kinë nga pneumonia e koronavirusit të ri që ka paralizuar vendin, ndërsa sot Shtetet e Bashkuara shënuan vdekjen e parë prej tij.

Tashmë një total prej 722 kanë vdekur nga virusi dhe 34,546 janë infektuar, tha Komisioni Kombëtar i Shëndetësisë së Kinës. shumica e të infektuarve të rinj janë regjistruar në provincën Hubei dhe kryeqytetin e saj, Vuhan. Javën e kaluar autoritetet përfunduan ndërtimin e një spitali të posaçëm në Vuhan ndërsa një tjetër pritet të hapet në ditët në vijim.

SHBA ka njoftuar se një 60-vjeçar amerikan ka vdekur nga virusi në spitalin e Vuhan, që shënon dhe vdekjen e parë të një të huaji nga epidemia.
Japonia gjithashtu ka njoftuar një vdekje të dyshuar si koronavirus përsëri në Vuhan, një burrë në të 60-at për të cilin mjekët nuk shpjeguan dot shkakun e pneumonisë.

Jashtë Kinës virusi ka infektuar 320 njerëz në 27 territore, dhe ka vrarë një kinez në Filipine e një 39 vjeçar në Hong Kong. Raste të reja po konfirmohen në Malajzi, Taivan e Japoni.

Top Channel