MASR çel Thirrjen e 5-të Programit Kombëtar të Praktikave të Punës

07/02/2020 11:49

MASR ka hapur për herë të pestë aplikimet për Programin Kombëtar të Praktikave të Punës, në Administratën Shtetërore dhe Institucionet e tjera, Publike e Jopublike.

Të rinjtë që dëshirojnë të përfitojnë përvojë pune në Administratën Publike, në portalin e Praktikave janë publikuar pozicionet e praktikës në 16 institucione shtetërore qendrore, 185 institucione të varësisë dhe 10 institucione të pavarura në të gjithë qytetet e Shqipërisë, në 61 bashki dhe 20 shoqëri tregtare.

Këtë vit, janë 2500 pozicione për praktikantë që japin mundësinë për të rinj profesionistë nga mosha 21 deri 26 vjeç, të cilët kanë përfunduar minimalisht ciklin e parë të studimeve ‘Bachelor’ dhe nuk kanë qenë pjesë e programit gjatë thirrjeve të mëparshme. Ata duhet të tregojnë interes për sektorin e përzgjedhur si dhe të kenë aftësi shumë të mira analitike e komunikimi. Pas vlerësimit të aplikimeve Institucionet përkatëse lajmërojnë fituesit nëpërmjet adresës së tyre elektronike.

Faza e parë e këtij Programi, e njohur si ‘periudha e praktikës’ zgjat tre muaj dhe njihet si përvojë pune gjatë rekrutimit në institucionet e administratës publike dhe është pa pagesë. Qëllimi mbetet përfitimi i një përvoje kualifikuese për zhvillimin e mëtejshëm të aftësive profesionale, akademike dhe personale.Ndërkohë faza e dytë ofron mundësinë për të fituar kontratën një – vjeçare të punës, bazuar në performancën individuale dhe kërkesat e vetë institucioneve.

Praktika e punës është përvoja profesionale, e cila u ofron studentëve shanse për të fituar dije të rëndësishme dhe aftësi në fusha që lidhen me formimin e tyre akademik. Praktika e punës duhet të jetë në përputhje me qëllimet dhe interesat e studentit, për t’i mundësuar atij kalimin e suksesshëm, nga universiteti drejt tregut të punës.

“Sot hapim Thirrjen e 5-të të Programit Kombëtar të Praktikave të Punës, ku kemi rritur numrin e pozicioneve të praktikës në 2,500! Pas përfundimit të praktikave, punësim për mbi 200 më të mirët! Aplikoni online mes datave 7-29 shkurt, 2020! Suksese!”, shkruan ministrja Besa Shahini në rrjetin social “Facebook”.

Top Channel