Gratë në parandalimin e konflikteve, Manastirliu: Hapa përpara drejt barazisë gjinore

07/02/2020 11:22

“Shqipërinë renditet në mes të vendeve europiane në indeksin e barazisē gjinore, por në fusha të caktuara, sikundër është parandalimi i konflikteve, diplomacia, etj, edhe pse janë bërë hapa përpara, ekzistojnë ende pabarazitë dhe diskriminimi gjinor, që pengojnë përpjekjet tona për krijimin e mundësive të barabarta për gratë, burrat, vajzat dhe djemtë”.

Deklarata u bë nga Ministrja Manastirliu në konferencën e organizuar nga OSBE dhe Ministria e Shëndetësise dhe Mbrojtjes Sociale “Agjenda për Gratë, Paqen dhe Sigurinë”, në kuadër të aktiviteteve që Qeveria Shqiptare po zhvillon gjatë mbajtjes së Kryesisë së radhës së OSBE.

Duke deklaruar se zhvillimi i demokracisë dhe sigurimi i paqes nuk mund të arrihen pa një përfshirje, përkushtim dhe punë të përbashkët të burrave dhe grave, Manastirliu tha se Shqipëria ka bërë përparime në drejtim të barazisë gjinore.
“Indeksi i barazisë Gjinore 2020 në Shqipëri” e rendit Shqipërinë të 17-n ndër 28 vendet e BE dhe 2 vende të Ballkanit Perendimor në indeksin e barazisë gjinore, por zbutja e hendekut gjinor mbetet ende një sfidë, për të mos e konsideruar barazinë gjinore si një ëndërr e brezave që do vijnë, por si një mundësi të ta nisur ndryshimin sa më parë, për të përmbushur përtej kuotave dhe shifrave, barazinë mes burrave dhe grave, pa ndasitë e atyre që rëndom vijojnë të konsiderohen “punë burrash”, ku jemi ende larg qasjes tonë drejt barazisë gjinore”, tha Manastirliu.

Gjatë fjalës së saj, Manastirliu tha se një tjetër tregues i rëndësishëm i përpjekjeve të qeverisë shqiptare drejt barazisë gjinore është edhe raporti i Indeksit Global të Hendekut Gjinor të Forumit Ekonomik Botëror të vitit 2020, i cili tregon se: Shqipëria aktualisht renditet në vendin e 20 nga 153 vende, krahasuar me vendin e 34-t që ishte në vitin 2018, me përmirësime të dukshme në pjesëmarrjen dhe përfaqësimin politik të grave.

20 vjetori i Rezolutës 1325, e gjen vendin tonë të angazhuar për të përmushur objektivat e “Planit të Veprimit për zbatimin e Rezolutës 1325 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara “Për gratë, paqen e sigurinë”, miratuar për herë të parë në shtator të vitit 2018. Hartimi dhe miratimi i këtij plani e renditi Shqipërinë në hartën e 82 vendeve në Botë, si dhe mes 36 vendeve anëtare të OSBE që kanë një plan veprimi për Rezolutën 1325, duke thelluar angazhimet e Shqipërisë në Agjendën Gruaja Paqja Siguria.

Top Channel