Porti italian i Barit ka hapur dyert, duke zhbllokuar situatën e 357 udhëtarëve që mbetën të bllokuar në tragete prej më shumë se 24 orësh në dalje të këtij porti, që u mbyll si pasojë e motit të keq të mërkurën.
Kapiteni i portit detar të Durrësit bën të ditur se dy tragetet Durrës-Bari dhe mjeti lundrues nga Igumenica aktualisht po futen për përpunim në portin e Barit.
Natën e kaluar edhe dy tragetet e rradhës që do të niseshin drejt Barit pezulluan lundrimet në pritje të përmirësimit të situatës detare në brigjet perëndimore të Adriatikut, në Bari. Të gjithë udhëtarët u njoftuan për këtë pezullim, ndërkohë që me hapjen e portit italian pritet që lundrimet nga Durrësi të rinisin rreth orës 22.30 të së enjtes. Aktualisht në Gjirin e Durrësit era fryn me drejtim veri-lindjen duke favorizuar lundrimin e trageteve drejt Italisë, ndërsa në det të hapur rregjistrohet një forcë prej 6-7 ballësh. Sipas Kapitenerisë, ashtu si dhe ishte parashikuar, forca e detit është në rënie dhe fundjava pritet të rikthejë normalitetin në lundrime dhe aktivitetin portual.
Top Channel