Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, tha se vendi i tij po bën shumë për të ruajtur stabilitetin dhe sigurinë në Ballkan.

Në ceremoninë e dorëzimit të letrave kredenciale nga ambasadorët e rinj në Rusi, Putin kujtoi, siç tha ai, “takimin kuptimplotë” me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, që zhvilloi në fund të vitit të kaluar në Soçi.

“Janë arritur një numër marrëveshjesh për bashkëpunimin ruso-serb në fushat e ekonomisë, tregtisë, energjisë, kulturës dhe për koordinimin në çështjet rajonale,” tha Putin të mërkurën në Kremlin.

Rusinë dhe Serbinë i lidh një partneritet strategjik, që mbështetet në traditën e miqësisë, afërsisë kulturore, shpirtërore dhe historike të njerëzve, tha ai, duke shtuar se Rusia “po bën shumë për ta mbajtur situatën në Ballkan të qëndrueshme dhe të sigurt”.”Ne jemi të përkushtuar në arritjen e një zgjidhjeje për problemin e Kosovës, që do të jetë funksionalisht dhe reciprokisht e pranueshme, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”, tha presidenti rus.

Serbia në fakt ka parë gjithnjë te Rusia një aleate të fortë ndërsa përpjekjet e Moskës për të rritur ndikimin e saj në Ballkan, shihen me sy jo të mirë nga bashkimi evropian. Madje, ka patur disa apele në Bruksel se nëse blloku nuk do të hapë dyert sa më shpejt për vendet e Ballkanit perëndimor, ky rajon do të bjerë në kthetrat ruse.

Top Channel