Youtube me rregulla të reja/ Goditet dezinformimi në platformën online

04/02/2020 12:33

YouTube njoftoi se do të heqë videot që lidhen me zgjedhjet dhe që janë “të manipuluara” me qëllimin të mashtrojnë votuesit.

Ky hap është pjesë e përpjekjeve të kompanisë për të frenuar dezinformimin në internet. Firma në pronësi të Google, tha se duke ndërmarrë masa të tilla po përpiqet të bëhet një “burim më i besueshëm” lajmesh dhe të nxisë një “debat të shëndetshëm politik”.

Leslie Miller, zëvendëspresidente e YouTube për çështjet e qeverisjes dhe politikës publike, sqaroi në një postim në blogun e saj se standardet e YouTube ndalojnë “përmbajtjen e manipuluar teknikisht në një mënyrë që mashtron përdoruesit … dhe mund të përbëjë një rrezik apo dëm serioz.”

Praktika e re ndalon përmbajtjen që synon të mashtrojë njerëzit në lidhje me votimin ose proceset e regjistrimit.

Masat e fundit vijnë në klimën e shqetësimit në rritje për të ashtuquajturat video “deepfake” të ndryshuara duke përdorur inteligjencën artificiale, e cila mund të krijojë ngjarje me pamje të besueshme, por edhe falsifikime “të cekëta” që përdorin teknika të thjeshta për të mashtruar shikuesit.

Top Channel