Përmes një ceremonie solemne, dhe në mungesë të ish-kryeministrit, Ramush Haradinaj, Albin Kurti mori zyrtarisht detyrën e kryeministrit të ri të Kosovës.
Për shkak se Haradinaj ka udhëtuar drejt Shteteve te Bashkuara të Amerikës, postin kreut të VV, ia dorëzoi ish-zëvendëskryeministri i parë, Behgjet Pacolli. Pranimi formal i detyrës nga Kurti u bë në ambjentet e kabinetit të kryeministrit.
Gjatë dorëzimit të postit, Pacolli i kujtoi atij se “Kosovën e presin sfida të mëdha”. Por kreu i Vetëvendosjes e bëri të qartë se nuk e tremb ajo që do të vijë. “Personalisht, s’do të kursehem për asgjë gjatë këtij mandate”, deklaroi ai.
Konfirmimin e tij si shef i ekzekutivit të ri kosovar, Kurti e mori nga parlamenti i Kosovës të hënën. Kabineti i tij do të ketë 2 zëvendëskryeministra dhe 15 ministra. VV dhe LDK do të drejtojnë secila nga 6 ministri, ndërsa tre të tjerat I takojnë pakicave. Pas marrjes së postit, Kurti zhvilloi dhe mbledhjen e parë të qeverisë së re, ku sqaroi se në kabinetin e tij nuk do të ketë parti të ndara, por ekip qeverisës.
Shefi i ekzekutivit në mënyrë figurative u tha ministrave se karriget I kanë, por se duhet të rrinë më shumë në këmbë që të punojnë për vendin.“100 ditët e para do të jenë ditë të zëna me angazhim dhe përkushtim maksimal; programi ynë është ambicioz, por të tilla janë edhe pritshmëritë e qytetarëve. Sytë e të gjithë popullit janë tek ky kabinet qeverisës. Mandati duhet të jetë më shumë për të shërbyer e jo për të urdhëruar. Shanset për sukses i kemi të mëdha”, deklaroi ai.
Top Channel