Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha të premten se vendit i duhet një qeveri stabile dhe se i mbetet spektrit politik në dorë që të ndërmarrë hapat e mëtejshëm për formimin e ekzekutivit.
Ai tha se pavarësisht zhvillimeve që mund të ndodhin ai do të respektojë kornizën e përgjegjësive kushtetuese.
“Unë si president i vendit do të respektoj kornizën e përgjegjësive kushtetuese, mbetet spektrit politik të bëjë hapat e mëtutjeshëm. Edhe iniciativa për mbajtjen e seancës është në përputhshmëri me ligjet e Kosovës, mendoj se është një hap i menduar prej mandatarit dhe obligim që e ka marrë natyrisht kur është mandatuar nga ana ime, i mbetet spektrit politik që të shohin mundësitë e angazhimeve të përbashkëta në mënyrë që kemi qeveri sa më shpejtë që të mundet”.
I pyetur për mundësinë dhe efikasitetit e një qeverie të pakicës, Thaçi tha se Kosovës i duhet një qeveri stabile dhe efektive.
“Kosovës i duhet një qeveri stabile, efektive, për respekt të vullnetit qytetar dhe orientimit euroatlantik pra të një bashkëpunimi të ngushtë BE-së, Shtetet e Bashkuar dhe NATO-s”.
Ndërkohë, duke folur për takimin e një dite më parë me kryediplomatin evropian, Josep Borrell, Thaçi tha se qytetarët e Kosovës po vuajnë mos unitetin e shteteve evropiane.
“Kosova ka arritur të përmbushë në tërësi të gjitha kriteret për liberalizim të vizave, problemi është se BE nuk është unike për Kosovën dhe këtë mos unitet është duke e paguar qytetari i Kosovës”.
Këto komente, presidenti, Hashim Thaçi i bëri pas homazheve te shtatorja e heroit të Kosovës, Zahir Pajaziti me rastin e 23 vjetorit të rënies së tij dhe bashkëluftëtarëve, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha.
Top Channel