Kancelarja Angela Merkel i ka shprehur kryeministrit Edi Rama gjatë vizitës në Berlin angazhimin e Gjermanisë për  konferencën e donatorëve në Bruksel ku do të mblidhen fonde për rindërtim pas tërmetit të 26 nëntorit.

Merkel:Për mua është një nevojë e veçantë që përballë tërmetit të 26 nëntorit në Shqipëri ku shumë njerëz humbën strehën dhe pati një numër të lartë viktimash të organizohet konferenca e donatorëve dhe Gjermania do të marrë pjesë aty. Bashkëpunimi dhe ndihma në rajon ishin impresionuese megjithatë tërmeti ishte goditje e rëndë për Shqipërinë.

Për Shqipërinë deklaroi kryeministri Rama, rindërtimi  do të jetë i pamundur të përballohet vetëm.

Jam shumë mirënjohës që ju gjetët kohën për këtë takim, ku kam ardhur enkas për të diskutuar në radhë të parë, për Konferencën e Donatorëve dhe nevojën e madhe që Shqipëria ka për të gjetur mbështetjen e të gjithë miqve dhe partnerëve në procesin e vështirë të rindërtimit, i cili, duke u bazuar në raportin e dëmeve, hartuar në bashkëpunim me Bashkimin Europian, Shtetet e Bashkuara dhe Bankën Botërore, përmban një shumë që është përtej të gjitha mundësive tona për ta përballuar të vetëm.

Dua t’ju falënderoj me mirënjohje për solidaritetin e treguar që në sekondat e para dhe për interesimin tuaj, ashtu sikundër dhe për përfshirjen e të gjitha strukturave të ndihmës së parë edhe nga Gjermania, si dhe nga vendet e rajonit e më gjerë, një ndihmë që ka qenë jashtëzakonisht lehtësuese për popullin shqiptar.

Po ashtu, më vjen shumë mirë që mund të diskutojmë edhe për perspektivën e integrimit europian të Shqipërisë, si dhe për bashkëpunimin rajonal ku roli i Gjermanisë dhe roli juaj personalisht ka qenë i jashtëzakonshëm në hapjen e një kapitulli të ri bashkëpunimi me Procesin e Berlinit, që ka nevojë për t’u çuar më tutje.

Në fund dëshiroj edhe njëherë të shpreh të gjithë konsideratën për mënyrën se si ka nisur puna e Komisionit Europian dhe të them që është shumë e rëndësishme ajo që ju nënvizuat, një dimension më i qartë edhe gjeopolitik, përveçse dimensionit tradicional teknik të Komisionit. Do të jetë një ndihmë e madhe për ne dhe për të gjithë rajonin.

Pjesë e deklaratës së kancelares Merkel ishte edhe reforma në drejtësi për të cilën  pati një kërkesë konkrete.

Merkel: Më lejoni të them se janë arritur shumë gjëra në lidhje me reformën në drejtësi.

Kjo duhet të vazhdojë që reforma në drejtësi të përmbyllet, është e një rëndësie të veçante për të ardhmen e Shqipërisë.

Mbledhjes së këshillit të ministrave të BE në Zagreq që do të mbahet në mars kancelarja Merkel i ka paraprirë me një qëndrim tejet pozitiv për çeljen e  negociatave.

Merkel: Në emër të qeverisë gjermane dua të them se ne i përmbahemi perspektivës europiane të Shqipërisë dhe për Ballkanin perëndimor.

Ne duam që këto shtete të përafrohen me BE dhe që para se gjithash në Këshill në Mars të nisin negociatat për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedonisë së Veriut.

Të dy vendet kanë arritje të mëdha, edhe në këshillin e fundit ne folëm për ketë dhe shpresojmë që në Mars të marrim rezultatet që dëshirojmë”,

Edhe njëherë tjetër kancelarja Merkel mbështeti çeljen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e veriut por a ka mundur ajo të ndryshojë qëndrimin e president të Francës Emanuel Macron? Kjo do të mësohet në takimin e krerëve të BE në Zagreb.

Muhamed Veliu Top Channel Berlin

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA