Banorët e fshatit Skrevan së bashku me fëmijët e tyre, të cilëve ju prish shkolla 9-vjeçare gjatë tërmetit të 26 Nëntorit kanë protestuar sot përpara bashkisë Urë-Vajgurore.
Me thirrjet: “Hapni shkollën”,”Duam të mësojmë”,”Mos gënjeni” etj, ata janë grumbulluar të gjithë së bashku përpara bashkisë. Protestuesit kanë kërkuar që fëmijëve tu sigurohet transport për të shkuar në shkollën 9-vjeçare të një fshati tjetër pasi shkolla është shumë larg dhe për fëmijët e tyre është e pamundur të shkojnë e të vijnë çdo ditë në këmbë. Të indinjuar nga deklarata e disa ditëve më parë në media e përfaqësuesit të bashkisë Urë-Vajgurore Albano Kora,që ka deklaruar se bashkia u ka siguruar fëmijëve transport,prindërit deklarojnë se,të gjitha këto janë shpifje. Ata shkojnë edhe më tej dhe deklarojnë se,gjatë takimit që kanë kryer me kryetaren e bashkisë Juljana Mema, kjo e fundit i ka sharë e ofenduar rëndë. Prindërit kanë deklaruar se në bashkinë e Urës-Vajgurore askush nuk ua hap dyert dhe askush nuk i dëgjoj. Prindërit dhe fëmijët kërkojnë me çdo kusht gjetjen e një zgjidhjeje për tu arsimuar sepse-siç shprehen vetë ata-kanë një muaj që nuk venë fare në shkollë.
Edhe pse protestuan për rreth 1-orë para bashkisë Urë-Vajgurore,askush nuk ua ka hapur dyert e bashkisë për ti dëgjuar dhe asnjë përfaqësi e tyre nuk është lejuar të takohet për këtë problem me përfaqësuesit e bashkisë. Shkolla 9-vjeçare në fshatin Skrevan është një nga 5 shkollat e dëmtuara nga tërmeti i 26 Nëntorit në bashkinë Urë-Vajgurore dhe kjo shkollë ka rezultuar me dëmtime të rënda nga inxhinierët dhe për pasojë është bllokuar. Që prej ditës së mbylljes së shkollës,rreth 35 nxënës të saj nuk shkojnë më në asnjë shkollë tjetër për shkak të largësisë së fshatit të tyre nga fshatrat e tjera ku ndodhen shkollat më të afërta 9-vjeçare dhe për shkak të mungesës së transportit.
Top Channel