Organi monitorues i KE: Shqipëria përparim në masat kundër pastrimit të parave

23/01/2020 15:54

Shqipëria vlerësohet të ketë bërë përparim në zbatimin e masave kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, sipas raportit të fundit të organ monitorues i Këshillit të Europës, Moneyval.

Shqipëria rezulton të jetë “në përputhje” në pesë rekomandime, “kryesisht në përputhje” me 28 prej tyre, dhe vetëm njërin nuk e përmbush. Pavarësisht përparimit të vërejtur megjithatë Moneyval del në përfundimin se vendi ynë mbetet në procedurë për përmirësimin e përputhshmërisë dhe do t’i duhet të vazhdojë të raportojë lidhur me përparimin e mëtejshëm mbi forcimin e zbatimit të masave të saj kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.

Aktualisht, Shqipëria është në proces shqyrtimi nga Task Forca e Veprimit Financiar, në Grupin e Vlerësimit të Bashkëpunimit Ndërkombëtar i cili bazuar në raportimin e kryer nga autoritetet shqiptare do të vendosë gjatë muajit shkurt nëse duhet të kryejë vlerësim më të thellë të mangësive strategjike dhe efektivitetit në luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.

Vlerësimi nga ana e FTAF-së konsiderohet mjaft i rëndësishëm. Nëse ajo del në përfundimin se nuk ka pasur përparim të mjaftueshëm, atëherë nxjerr një Deklaratë Publike, ku e rendit atë vend në ‘Listën Gri’ të shteteve që nuk zbatojnë masat ndërkombëtare kundër këtyre fenomeneve, që do të thotë në listën e vendeve me rrezik të lartë. Një renditje e tillë do të kishte pasoja negative për ekonominë dhe imazhin e një shteti./Irida Vasia/

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA