Kosova, ashtu si dhe pjesa më e madhe e vendeve të rajonit, kishte përkeqësim në luftën kundër korrupsionit në indeksin e perceptimit të tij për 2019, publikuar nga Organizata Ndërkombëtare Transparency International, i cili vlerësoi se praktikisht mbi dy të tretat e shteteve janë ose në stanjacion, ose kanë shënuar hapa prapa në raport me përpjekjet kundër këtij fenomeni.

Kosova sivjet renditej e 101-ta me 36 pikë, ndërkohë që një vit më parë, zinte në klasifikim vendin e 93-të. Por Transparency International mendon se ka një shans që situata të përmirësohet, dhe këtë e sheh tek lëvizja Vetëvendosja.

“Kosova po kalon nëpër një ndryshim të pushtetit parlamentar, që mund të ofrojë një mundësi për ndryshime. Pas vitesh të tëra kritikash ndaj qeverisë dhe bashkësisë ndërkombëtare se nuk e kanë frenuar korrupsionin, Lëvizja Vetëvendosje, e cila fitoi shumicën e vendeve në parlament nga zgjedhjet e tetorit, tani ka mundësinë të dëshmojë angazhimin e saj në luftën kundër korrupsionit”, thuhet në raportin e organizatës së njohur ndërkombëtare, ku theksohet ndër të tjera se partia e Albin Kurtit, ishte ndër të paktat që iu përgjigjën kërkesave për të bërë publike kostot e fushatës zgjedhore.

Megjithatë, shton Transparency International, mbetet për tu parë nëse qeveria e re do të sigurojë një standard më të lartë të integritetit politik. Indeksi radhit 180 vende dhe territore të botës në bazë të nivelit të perceptuar të korrupsionit në sektorin publik.

Top Channel