Kosova vazhdon të ketë bilanc negativ tregtar në raport me partnerët e saj, megjithatë pas vendosjes së tarifës 100 përqind, të dhënat tregojnë që në vitin 2019 importi ka pësuar rënie.
Kështu u tha në tryezën e diskutimit të organizuar nga Klubi i Prodhuesve të Kosovës e cila ka për qëllim diskutimin mbi efektet e tarifës doganore 100 përqind ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnja, në ekonominë e Kosovës.
Drejtori ekzekutiv i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Astrit Panxha tha se shprehur në numra, rritja vjetore e importit nga viti 2017 në vitin 2018 ishte 11 përqind, ndërsa në vitin 2019 rritja vjetore e importit ishte vetëm 4 përqind, ndërkaq eksportet kanë shënuar një rritje prej 6 përqind, gjatë vitit 2019.
“Për herë të parë që nga paslufta vëllimi i importit ka shënuar rënie. Gjatë kësaj periudhe vëllimi i importit ka shënuar rënie prej 50 milionë tonë. Kjo rënie mund të interpretohet me rritjen e prodhimit vendor dhe uljen e kërkesës për import”, theksoi Panxha.
Ai shtoi se një indikator tjetër i efektit pozitiv të tarifës është edhe rritja e numrit të të punësuarve në sektorin e prodhimit, si dhe rritje të shitjes së produkteve vendore.
Po ashtu ai tha se nga masat mbrojtëse nuk ka pasur ngritje të theksuar të çmimeve për produktet.
Panxha po ashtu tha se për shkak të vendosjes së taksës, shteti serb ka vendosur masa bllokuese ndaj eksporteve të Kosovës.
Ndërsa, Fejzullah Mustafa pronar i kompanisë “Fluidi”, tha se taksa 100 përqind ka pasur një efekt pozitiv në kompaninë e tij. “Ka pasur një ngritje të prodhimit dhe shitjes për produktet e lëngjeve, por sidomos për produktet e vajit ushqimor. Efekti i taksës ka qenë në ngritje e prodhimit, punëtorëve dhe investimeve, që ka efekt pozitiv edhe për shtetin e Kosovës”, tha Fejzullahu, duke shtuar taksa ka ndikuar edhe në vetëdijesimin e konsumatorëve. Po ashtu edhe Gojart Kelmendi pronar i kompanisë Flutra tha se në kompaninë e tij ka pasur efekt pozitiv taksa 100 përqind, por shtoi se nëse hiqet ajo Qeveria duhet t’i mbrojë prodhuesit.
“Në të gjitha parametrat ka pasur rritje në sektorin e letrës. 25 përqind ka pasur rritje të punësimit dhe shitjes në kompaninë tonë”, tha Kelmendi.
Profesor universitar Muhamet Mustafa lidhur me këtë temë, tha se kur është vendosur taksa ishte paralajmëruar se do të ketë mungesë të mallrave dhe do të pësojë buxheti, por sipas tij, ka ndodhur e kundërta ka pasur rritje të buxhetit dhe këto mallra janë zëvendësuar nga shtete tjera dhe disa nga vendi.
“Por ka pasur edhe pritje marramendëse nga Qeveria, por në të njëjtën kohë Kosova nuk ka qenë e përgatitur, sepse efektet e taksës do të ishin edhe më të mëdha. Fakti që punësimi ka pasur rritje, është lajm i mirë”, deklaroi Mustafa. Ish deputeti Mustafa tha se vet fakti që në vitin 2017 dhe në 2018 kishte vetëm 45 milionë euro për investime në makineri, në vitin 2019 vlera e investimeve në makineri ka arrit në 56 milionë euro nga prodhuesit vendor. Ndërkaq, Turqia, Greqia dhe Maqedonia janë përfitues më të mëdhenj nga taksa 100 përqind, si eksportues drejt Kosovës./KosovaPress/
Top Channel