Zyrtarët në Kinë po përpiqen të vendosin nën kontroll përhapjen e virusit të ri që i ka marrë jetën deri më tani gjashtë personave, ka prekur rreth 300 vetë dhe pasi u konfirmua se ai mund të transmetohet edhe nga njeriu tek njeriu.

Vuhani, qyteti qendror kinez ku coronavirusi u pikas së pari, mori një seri masash të martën, përfshirë edhe anulimin e festimeve të vitit të ri hënor, që do të tërhiqte me qindra e mijëra njerëz.

Agjencitë turistike janë ndaluar të nxjerrin grupe turistësh nga Vuhani dhe numri i monitoruesve termikë dhe skanerave në hapësirat publike, është shtuar.

Ndërkohë, presidenti kinez Xi Jinping urdhëroi përpjekje maksimale për të ndaluar përhapjen e virusit. Tani ekziston sidoqoftë frika se përpjekjet për vënien nën kontroll, janë të vonuara.

Të martën, komisioni kombëtar i shëndetit në kinë tha se numri i rasteve të konfirmuara kish shkuar në 291, me 77 raste të reja të raportuara vetëm të hënën. Pacientë të prekur nga virusi tani ka edhe në provinca të tjera përfshirë pekinin dhe Shangain. Ndërsa jashtë kinës, virusi është konfirmuar në Tajlandë, Japoni, Korenë e jugut dhe Tajvan.

Mediat e huaja flasin edhe për një rast të parë të regjistruar në Australi dhe bëhet fjalë për një person të kthyer nga Vuhani, ndërsa britanikja “The Sun” thotë se virusi mund të ketë prekur edhe perëndimorin e parë. Bëhet fjalë për një turist Angles që po lufton me vdekjen në Tajlandë, shkruan ajo. Shumë vende të tjera ndërkohë kanë vendosur nëpër aeroporte skanera termikë, për të kontrolluar veçanërisht të ardhurit nga Kina.

Organizata botërore e shëndetësisë, do të shqyrtojë ndërkohë të mërkurën mundësinë e shpalljes së emergjencës ndërkombëtare të shëndetit publik në lidhje me virusin, ashtu siç ka bërë më parë me gripin e shpendëve dhe ebolën. Një deklaratë e tillë, nëse do të bëhet, do të konsiderohet si një thirrje urgjente për një reagim ndërkombëtar të koordinuar./Ardita Becolli/

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA