Marrëveshja me Lëvizjen Vetëvendosje, për qeverinë e ardhshme të Kosovës, do të nënshkruhet deri në fund të kësaj jave, ose përndryshe nuk do të mund të konkretizohet më, sipas shefit të Lidhjes Demokratike të Kosovës Isa Mustafa.

Pas mbledhjes së kryesisë së partisë, Mustafa tha se LDK mbetet e përkushtuar që të punojë për një marrëveshje që respekton vullnetin e qytetarëve në zgjedhjet e 6 tetorit.

“Mendojmë se marrëveshja do të qetë në pah një qeveri të balancuar dhe përgjegjësi të balancuara ndërmjet dy palëve në harmoni me atë që qytetarët e Kosovës na kanë dhënë besimin me votën e tyre ne si LDK me 28 deputetë dhe LVV-së me 29 deputetë. Ne kemi dhënë një propozim që është shumë i balancuar që LVV duhet ta trajtojë me vëmendje të veçantë dhe mbetemi që të bisedojmë, por që ajo të ketë një përfundim sa më shpejt mundësisht deri në fund të kësaj jave, që të bëjmë marrëveshje ose të konstatojmë se nuk ka kushte që marrëveshja të bëhet”, shprehet Mustafa.

Lideri i LDK tha se beson që do të ketë një marrëveshje në dobi të qytetarëve.

Ai ka bërë të ditur se gjatë kësaj kohe kanë qenë në komunikim të vazhdueshëm me Kurtin, por nuk ka pranuar të bëjë komente nëse janë apo jo pranë arritjes së koalicionit qeverisës me Lëvizjen Vetëvendosje.

Zgjedhjet e tetorit në Kosovë nxorën të parën lëvizjen vetëvendosje dhe pas saj, lidhjen demokratike të Kosovës. Por edhe pse kanë kaluar tashmë më shumë se tre muaj prej tyre, dy partitë e para, nuk kanë mundur ende të arrijnë një marrëveshje për krijimin e qeverisë së re.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA