Australian Open 2020/ Kalon Nadal, eliminohet Sharapova

21/01/2020 18:44

Rafael Nadal ndjek shembullin e dy të mëdhenjve të tjerë të tenisit; Fefderer e Djokovic dhe kualifikohet për në raundin e dytë të turneut të Australian Open.

Numri 1 i renditjes botërore e nisi aventurën e tij në turneun e parë Grand Slam të vitit me sfidën ndaj bolivianit Hugo Dellien të cilit i dha një leksion të mirë tenisi teksa e mundi pastër 3-0 në vetëm 2 orë e 2 minuta lojë. Spanjolli nuk i dha në asnjë moment shansin kundërshtarit të tij që t’i kundërpërgjigjej dhe i mbylli setet e sfidës me rezultatin 6-2;6-3; 6-0. Në raundin tjetër, Nadal që do të kërkojë titullin e dytë në Australian Open pas atij të 2009, do të përballet me argjentinasin Delbonis që mundi portugezin Joao Sousa 3-0 me sete 6-3;6-4; 7-6.

në kampin e femrave bie në sy eliminimi në raundin e parë i Maria Sharapovës, fituese e këtij turneu në vitin e largët 2008. Tenistja ruse u mund nga kroatja Dona Vekic me rezultatin 2-0 me sete 6-3;6-4. Tenistja kroate u shfaq superiore ndaj Sharapovës së cilës i mungoi forca për të reaguar ndaj kundërshtares së saj duke u dorëzuar në fundin e takimit. Me këtë humbje Maria Sharapova del jashtë listës së 300 tenisteve më të mira të botës duke arritur pikën më të ulët në 18 vite karrierë të saj me përjashtim të momentit kur u skualifikua për doping.

Top Channel