Zyra e OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (OSBE/ODIHR) dhe Prezenca e OSBE-së në Shqipëri organizuan sot, në Tiranë, një konferencë për rritjen e pjesëmarrjes së grave, pakicave kombëtare dhe personave me aftësi të kufizuara në të gjitha fazat e procesit zgjedhor.

FJALA E AMBASADORIT BORCHARDT

Javën e shkuar mirëpritëm vendimin e opozitës jashtëparlamentare për t’u riintegruar në procesin e diskutimit kombëtar me institucionet. Kjo gjë mund të përmbushë rekomandimin e parë kryesor të OSBE/ODIHR-it, që thotë: “partitë politike duhet të angazhohen në një dialog të hapur dhe gjithëpërfshirës dhe të lehtësojnë reformën zgjedhore”. Ne jemi shumë të lumtur që u bë një hap në këtë drejtim.

Më 16 janar, në Këshillin Politik të krijuar, Opozita e Bashkuar paraqiti platformën e saj për diskutime në këtë forum. Ajo përfshinte propozime për mënyrën e zbatimit të rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it. Për shembull:

-Shitblerja e votës – një nga temat e nxehta. Ne kemi rekomanduar një fushatë ndërgjegjësimi qytetar përpara zgjedhjeve, ndjekjen penale të shkelësve të ligjit, një zotim të sinqertë të partive politike për të luftuar shitblerjen e votës, si edhe që politikanët të refuzojnë publikisht mbështetjen financiare nga individët me të shkuar kriminale.

-Presioni mbi zgjedhësit: Nuk duhet të ushtrohet asnjëfarë presioni për të marrë pjesë në fushatë apo për të votuar në një mënyrë të caktuar.

-Presioni mbi administratën publike: ODIHR-i ka sugjeruar ngritjen e një strukture të pavarur për trajtimin e pretendimeve për presion mbi administratën dhe abuzime me burimet shtetërore. Hapa të mëtejshëm duhen marrë edhe për depolitizimin e shërbimit civil. Po ashtu, qeveria duhet të hartojë një procedurë sipas së cilës punonjësit e administratës publike mund të denoncojnë çdo lloj presioni ndaj tyre. Këta persona duhet të gëzojnë mbrojtjen si sinjalizues.

-Abuzimi me burimet shtetërore: ODIHR-i ka rekomanduar rregullta të qarta se si munden apo nuk munden të përdoren burimet publike për qëllime zgjedhore.

– Reformimin e ligjit “Për partitë politike” për të siguruar transparencën financiare të tyre dhe vendimmarrjen demokratike të brendshme. Në fund të vitit 2019, ne organizuam një forum diskutimi, që prodhoi ide të mira në këtë drejtim. Miqtë tanë të Institutit Demokratik Amerikan (NDI) ndihmuan për zhvillimin e mëtejshëm të ideve, gjatë një seminari, që u zhvillua fundjavën e shkuar, në Korçë. Kjo është rruga që duhet ndjekur.

-Një aspekt tjetër, i sugjeruar nga Opozita e Bashkuar, është krijimi i mekanizmave të efektshëm për të prerë lidhjet mes krimit dhe politikës. Në fund të vitit 2018, pati një projektligj për këtë. Komisioni i Venecias e quajti jopërpjestimor. Por Komisioni theksoi, njëkohësisht, përligjjen për të diskutuar një ligj të tillë. Unë do të sugjeroja një diskutim të plotë për mënyrat e kufizimit të ndikimit të shkelësve të ligjit në jetën politike të rangut të lartë. Gjatë procesit të vetingut në drejtësi, justifikimi i pasurisë ka luajtur një rol mbizotërues.

– Ka edhe rekomandime të tjera në këtë fushë. Institucionet e zbatimit të ligjit duhet të hetojnë katërçipërisht të gjitha pretendimet për shkelje zgjedhore. Ne besojmë se reforma në drejtësi është pjesë e rrugës në këtë drejtim. Prokurorët duhet të jenë të gatshëm të shqyrtojnë akuzat për krime zgjedhore. Kjo do të sillte një ndikim frenues.

-Kolegët tanë të ODIHR-it, në raportet e tyre, kanë theksuar shpesh nevojën për depolitizimin e administratës zgjedhore, në të gjitha nivelet. Komisioni i posaçëm për reformën zgjedhore ka hartuar propozime për këtë.

-Në draftet aktuale, që po diskutohen në komisionin e posaçëm, ka edhe propozime lidhur me barazinë gjinore, ku përfshihet propozimi që 1 në çdo 3 emra në listën e kandidatëve për zgjedhjet kuvendore të jetë grua, si edhe refuzimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të regjistruar listën, në rast se ky kusht nuk përmbushet. Kjo është një nga temat e veprimtarisë së sotme. Kjo do të thotë që: a) KQZ-së do t’i kërkohet automatikisht të refuzojë listat dhe b) që ky refuzim do të zëvendësojë gjobat e vogla që janë përdorur deri tani.

-Një aspekt tjetër për të cilin ka rekomandime ka të bëjë me sektorin e medias. Një nga rekomandimet është që të ashtuquajturat ‘kaseta’ të përgatitura nga partitë duhet të kufizohen dhe të etiketohen qartë. Një rekomandim tjetër është ai për dekriminalizimin e shpifjes, pra heqjen e saj nga kodi penal. Po ashtu, përqendrimi i pronësisë në media, në sektorin e transmetimeve, duhet të kufizohet. Ky është njëri ndër rekomandimet e papërmbushura. Përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias ka rekomanduar që projektligji për shpifjen ka nevojë për përmirësime të mëtejshme.

Ka edhe rekomandime të tjera, dhe shqyrtimi i të gjithave deri më 15 mars do të jetë një sfidë e vështirë, pasi tashmë jemi në janar. Unë u uroj të gjithë aktorëve të përfshirë fat, dëshirën për të bërë kompromis, si edhe shumë energji.

Për ta mbyllur: ekziston një e vërtetë e thjeshtë, edhe në sektorë të tjerë: “Nëse dëshiron të ndalosh korrupsionin, duhet të ndalosh së qeni i korruptuar”. Legjislacioni ekzistues mund të prodhojë zgjedhje të përshtatshme dhe rezultate të besueshme. ODIHR-i e ka theksuar këtë në disa raporte. Kjo nuk ka ndodhur pasi bëhet korrupsion dhe autorët e tij e dinë se sistemi nuk mundet t’i dënojë apo thjesht nuk i dënon sa duhet. Mund të vijoni të përpiqeni të ndryshoni sistemin, por do të ishte më mirë të ndryshonit sjelljen. Ky është parakushti për mbarëvajtjen e gjithçkaje. Sepse nëse shkelësit e ligjit nuk ndryshojnë sjelljen, reformat bëhen të kota.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA