I njëjti ritual që përsëritet për të nëntin vit në përkujtim të Ziver Veizit, Faik Myrtajt, Hekuran Dedës dhe Aleks Nikës, të vrarë nga plumbat e gardës së republikës më 21 Janar 2011.
Lule të vendosura në pllakatet përkujtimore, lot dhe shpresë e shuar se urdhëruesit e këtij krimi në bulevard të cilësuar nga socialistët si shtetëror, një ditë do të ndëshkohen.
Mark Nika xhaxhai Aleks Nikës ishte ndër familjarët e parë që mbërriti në bulevard, në të njëjtin vend ku 9 vite më parë një plumb në kokë I mori jetën nipit. Marku në një prononcim për Top Channel tregon se shpresa e vetme në gjetjen drejtësi mbetet Strasburgu.
Edhe Zamira Veizi mbesa e Ziver Veizit nga ceremonia përkujtimore në Gjirokastër apelon për drejtësi.
Kur socialistët ishin në opozitë duke nisur nga i pari i tyre Edi Rama, nuk i kursenin deklarimet për çuarjen përpara drejtësisë të urdhëruesve të 4 vrasjeve të 21 janarit.
Gjatë këtyre 6 viteve në pushtet asnjëri prej 3 ministrave të brendshëm socialist nuk inicioi asnjëherë një përpjekje për të mbledhur, fakte të reja për këtë krim shtetëror prej gardës së republikës nën varësinë e tyre.
Muhamed Veliu
Top Channel