Duke analizuar situatën politike të Kosovës, gazeta austriake “Der Standard” thotë se mbetet e paqartë nëse qeveria e re do të arrijë të krijohet.
Albin Kurti ka 15 ditë për të vendosur, shkruan e perditshmja e njohur në një artikull kushtuar aktualitetit politik në Kosovë në mesin e ngërçit që kanë krijuar mospajtimet e Lëvizjes Vetëvendosje me LDK-në, të cilat nuk po lejojnë arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare për bashkëqeverisje.
Gazeta austriake kujton se presidenti Hashim Thaçi, e firmosi të shtunën mandatimin e Albin Kurtit për krijimin e qeverisë së re. “Der Standard” përmend afatin ligjor për krijimin e qeverisë që është 15 ditë dhe nëse ekzekutivi nuk formohet, atëherë do të pasojnë zgjedhjet e reja.
“Kjo për çdo rast ndodh edhe nëse qeveria nuk formohet 60 ditë pas krijimit të parlamentit, dhe një periudhë e tillë zgjat deri në 24 shkurt”, kujton gazeta austriake në artikullin e saj.
“Der Standard”, shkruan se VV dhe LDK kanë mosmarrëveshje vetëm sa i përket postit të presidentit të vendit, dhe për të gjetur një zgjidhje, deri tani nuk kanë mjaftuar as tre muaj negociata. Ajo thekson gjithashtu se në zgjedhjet e 6 tetorit, Vetëvendosja fitoi 29 vende në parlament, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës vetëm një më pak, duke bërë kështu që e para të krijojë një “shumicë shumë të ngushtë”.
Vendimin e tij të dy ditëve më parë, Thaci e justifikoi duke thënë se bllokada politike e institucioneve nuk mund të vazhdojë dhe sipas tij, tani i takon Kurtit që ta pranojë ose jo mandatin për të formuar një qeveri.
Top Channel