Vdekja e aktorit të mirënjohur Xhevdet Ferri i ka trishtuar të gjithë. Reagime dhe mesazhe ngushëlluese vijnë edhe nga Kosova. Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje në një mesazh ngushëllues teksa thotë se rolet ku ka luajtur Xhevdet Ferri ka përcjellë guxim.
Duke marrë shembullin e filmit ‘Përrallë nga e kaluara’ Kurti thotë se guximi i Margiosë dhe Trimit mbeten porosia për ne.
Mesazhi i Albin Kurtit
Mora vesh se sot paska vdekur aktori i mirënjohur, Xhevdet Ferri. Në moshën 59 vjeçare, prej një sëmundjeje të rëndë. Fytyra e tij, fuqia shprehëse e mimika përcillte bashkë me guximin e paepur edhe një lloj melankolie, përballë situatave shoqërore të cilat duken si të pandryshueshme.
Kështu në filmin “Vitet e pritjes”, ku luan rolin e mërgimtarit të kthyer pas shumë vitesh në atdhe, ku fatkeqësisht pritet si i huaj, dhe e gjen vendin pa përparim, me të njëjtat probleme të kahershme. Por mbase më mbresëlënës është filmi “Përrallë nga e kaluara”, ku Xhevdet Ferri luan rolin e trimit.
Edhe ai film, krijuar mbi veprën e shkruar para më se një shekulli prej Çajupit, rrëfen fatalitetin e shoqërisë të marrë peng prej një mentaliteti të vjetër, që i ka ikur koha. Duket sikur ky mentalitet i vjetëruar vijon ta përndjekë shoqërinë shqiptare. E megjithatë, guximi i Marigosë dhe i trimit mbeten porosia për ne, sepse shoqëria duhet të përparojë e Gjini duhet të rritet.
U prehsh në paqe Xhevdet Ferri, ngushëllime familjarëve, kolegëve dhe publikut të kinemasë. Mbetesh i paharrueshëm në kujtesën tonë të përbashkët.
Top Channel