Nga një lojtar stoli në sezonin e kaluar me Luciano Spallettin, Lautaro Martinez është shndërruar në një protagonist në Interin e Antonio Contes dhe po shënon rregullisht e po ndihmon skuadrën që të ndjekë ritmin e Juventusit.
Në një intervistë për mediat argjentinase, sulmuesi deklaroi se ndihet mjaft i lumtur te skuadra zikaltër, ndërsa komentoi edhe interesin e Barcelonës për të blerë kartonin e tij verën e ardhshme.
“Po kaloj një moment mjaft të mirë te Interi, pasi përveçse po paraqitem mirë, ndihem i vlerësuar dhe njerëzit më duan. Është evidente që po luaj mirë dhe më ndjekin edhe klube të tjera, por jam i përqendruar vetëm te Interi dhe dua të ndihmoj këtë skuadër. Ndihem mjaft mirë në Milano”, deklaroi Lautaro.
Sulmuesi argjentinas ka gjetur një partner ideal në sulm këtë sezon, që është belgu Romelu Lukaku dhe dyshja zikaltër e sulmit jo vetëm që shënojnë rregullisht, por janë miq shumë të mirë edhe jashtë fushe.
“Lukaku më ndihmon shumë si në fushë, ashtu edhe jashtë saj. Është një futbollist shumë i rëndësishëm, por edhe njeri i madh. Ai bashkë me Conten, kanë bërë që të gjej këtë formë të mirë këtë sezon”, tha Lautaro.
Top Channel