Kryemadhi për Ramën: Ditën e “Masakrës së Reçakut”, paditi vëllain e dëshmorëve që çliruan Kosovën

16/01/2020 13:15

Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi, në një bashkëbisedim me gazetarët, të mbajtur ditën e sotme në zyrat e LSI ka folur rreth krizës politike në vend duke thënë se duhet ecur menjëherë përpara me miratimin e menjëhershëm të Reformës Zgjedhore.

Kryetarja e LSI-së ka reaguar pas padisë së depozituar nga kryeministri Edi Rama për kryeministrin në detyrë të Kosovës Ramush Haradinaj.

Kryemadhi tha se Shqipëria rrezikohet çdo ditë e më shumë me Edi Ramën. Ajo shtoi se në ditën e përkujtimit të viktimave të “Masakrës së Reçakut”, Rama gjeti momentin për të paditur luftëtarin e UÇK-së, vëllain e dëshmorëve që çliruan Kosovën.

“Shqipëria është në një rrezikshmëri të lartë, sepse me Edi Ramën ajo rrezikohet çdo ditë e më shumë. Rreziku i gjithë kësaj situate negative, në kuadrin e shpopullimit, po edhe në kuadrin e rënies ekonomike të shkatërrimit të të të gjithë sistemit, jo vetëm politik, po edhe shoqëror, ka vetëm një emër dhe është Edi Rama. Mjafton të shikojmë se çfarë ndodhi dje, ditën e përkujtimit të viktimave të Masakrës së Reçakut, Edi Rama gjeti momentin për të paditur luftëtarin e UÇK-së, vëllain e dëshmorëve që çliruan Kosovën me gjakun e tyre, në Gjykatë. Ky është Edi Rama! Mendoni se çfarë bën në një moment të tillë dhe mendoni se çfarë mund t’u bëjë akoma më shumë shqiptarëve”, shprehet kryetarja.

Ndër të tjera, kryetarja e LSI-së e cilësoi fasadë dhe lojë të kryeministrit Edi Rama nismën kundër grupit KÇK. Kryemadhi tha se kjo nuk është forma që po përdor Rama për t’i bërë presion gjyqtarëve dhe prokurorëve, pasi ai sipas saj ka metoda të tjera.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA