Vullkani “Taal” në Filipine mund të nxjerrë llavë dhe hi për javë të tëra paralajmëruan autoritetet, çka do të bëjë që dhjetëra e mijëra njerëz të jenë të rrezikuar pasi kanë braktisur shtëpitë për shkak të frikës së një shpërthimi të madh.

Krateri i vullkanit shpërtheu të dielën dhe qielli është mbuluar me hi vullkanik.

Shumë njerëz kanë braktisur bagëtitë dhe kafshët por edhe shtëpitë me gjithçka kishin brenda pasi autoritetet lëshuan alarmin për një shpërthim të madh të mundshëm.

“Ne kemi lënë gjithçka prapa”, thotë një 47 vjeçar, që është një nga 30 mijë personat që janë strehuar në qendrat e përkohshme.

“Taal” është një nga vullkanët më aktivë në një vend që në mënyrë të vazhdueshme goditet nga shpërthimet dhe tërmetet për shkak se ndodhet mbi unazën e zjarrit të paqësorit, një zonë me aktivitet intensiv sizmik.

Zyrtarët kanë paralajmëruar se rajoni duhet përgatitur për më të keqen dhe i kanë kërkuar njerëzve të qëndrojnë larg vullkanit.

“Taal” po afron ndërkohë një shfaqje tmerruese, përfshirë edhe retë e hirit që ndriçohen herë pas here nga shkarkesat elektrike. Kolonat e tymit vullkanik janë ngritur deri në 800 metra lart në qiell.

Në 1991, shpërthimi i vullkanit në malin Pinatubo, rreth 100 km në veri perëndim të Manilës, i mori jetën më shumë se 800 personave.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA