Putin, do rikthehet kryeministër? Planet pas vitit 2024, dorëheqja e Medvedev dhe reforma kushtetuese

15/01/2020 20:35

Qeveria ruse, me në krye shefin e saj, Dmitri Medvedev ka dhënë dorëheqjen, e presidenti Vladimir Putin menjëherë i ofroi kryeministrit të deritanishëm një post tjetër.

Medvedev tha se ai dhe ekzekutivi duan t’ia hapin rrugën kreut të shtetit për të bërë ndryshimet e domosdoshme në vend. Disa orë më parë, Putini e kishte shfrytëzuar fjalimin e përvitshëm drejtuar kombit për të kërkuar një referendum mbarëkombëtar mbi paketën e reformave kushtetuese, pa përmendur ndonjë datë konkrete. Argumentin e reformës e përdori dhe Medvedev për të shpjeguar lëvizjen e vet të papritur.

“Propozimet e reformës kushtetuese duhet të shënojnë ndryshime të rëndësishme në balancën e pushtetit të vendit tonë. Për këtë arsye, qeveria, në formën e saj aktuale, ka dhënë dorëheqjen. Të gjitha vendimet e mëtejshme, do të merren nga presidenti”, u shpreh Medvedev.

Pas një bisede kokë më kokë me Medvedevin, Putin u shpreh se jo të gjitha gjërat mund të rezultojnë me sukses. Qeveria e Medvedevit ka qenë nën presion të madh kohët e fundit, për shkak të krizës ekonomike në Rusi. Vetëm pak ditë më parë Putini u ka premtuar ndihma familjeve në gjende të rëndë sociale, ndërsa nuk janë larg zgjedhjet e ardhshme  parlamentare, të caktuara të mbahen  vjeshtën e vitit 2021.

Kritikët thonë se përmes kësaj lëvizjeje, Putini po planifikon të sigurojë qëndrimin  në pushtet edhe pas vitit 2024, kur skadon mandati i tij si president. Dyshohet se ai planifikon të kalojë më pas në postin e kryeministrit dhe të vazhdojë sundimin në Rusi. Ndërsa me ndryshimet kushtetuese parashikohet forcimi i postit të kryeministrit, të cilin ai do ta ushtronte, sipas këtij skenari, pas vitit 2024.

 

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA