Dhoma e Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara miratoi të mërkurën një rezolutë për dërgimin e dy akuzave formale kundër presidentit Donald Trump në Senat.

Dhoma, e udhëhequr nga demokratët, e miratoi rezolutën me 228 vota për dhe 193 kundër.

Trump akuzohet për shpërdorim të detyrës dhe pengim të punës së Kongresit.

Dhoma e Përfaqësuesve i ka ngritur akuzat formale kundër tij në muajin dhjetor, ndërsa, me votimin e sotëm, gjykimi i presidentit kalon në Senat.

“Jemi këtu për të kapërcyer një prag shumë të rëndësishëm në historinë amerikane”, tha kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, para votimit.

Paraprakisht, ajo emëroi shtatë ligjvënës demokratë – që të gjithë me prejardhje nga fusha e ligjit – për të shërbyer si të ashtuquajtur menaxherë gjatë gjykimit të Trumpit në Senat.

Menaxherët do të udhëheqen nga Adam Schiff, kryetar i Komitetit të Inteligjencës në Dhomën e Përfaqësuesve, dhe ata do të veprojnë si prokurorë.

Nëse gjatë gjykimit në Senat shpallet fajtor – gjë që thuhet se ka pak gjasa pasi ky institucion kontrollohet nga republikanët – Trump do të shkarkohej nga detyra.

Trump, republikan, këmbëngul se nuk ka bërë asgjë të keqe dhe hetimet kundër tij i quan “gjueti shtrigash”.

Për çfarë akuzohet Trump?

Trump akuzohet se i ka bërë presion Ukrainës për të zbuluar informacione të dëmshme për Joe Bidenin, i cili mund të jetë rival i tij në zgjedhjet e nëntorit.

Në këmbim të favoreve nga Ukraina, Trump akuzohet se ka mbajtur dy gjëra pezull: ndihmën ushtarake për Ukrainën, në vlerë prej 400 milionë dollarësh, dhe një takim në Shtëpinë e Bardhë me presidentin ukrainas.

Me këto veprime, sipas demokratëve, Trump ka abuzuar me pushtetin, pasi ka përdorur zyrën e presidentit për përfitime politike personale dhe në dëm të sigurisë kombëtare.

Trump akuzohet edhe për pengim të punës së Kongresit, pasi ka refuzuar të bashkëpunojë në hetime.

Presidentët amerikanë që u përballën me procedura të shkarkimit

Kundër Bill Clintonit kanë nisur procedurat për shkarkim, për shkak të mashtrimit dhe pengimit të drejtësisë, pasi ka gënjyer për natyrën e aferës së tij me Monica Lewinskyn dhe më pas dyshohet se i ka kërkuar edhe asaj të gënjejë.

Por, kur gjykimi ka shkuar në Senat më 1999, votimi për dënim ka dështuar.

Presidenti tjetër që është përballur me procedura të shkarkimit, ka qenë Andrew Johnson, më 1868. Ai është akuzuar, mes tjerash, për shkarkimin e sekretarit të tij të luftës kundër vullnetit të Kongresit.

Johnson ka shpëtuar për pak, pasi dy të tretat e votave në Senat nuk janë arritur vetëm për një votë.

Richard Nixon, presidenti i 37-të i Shteteve të Bashkuara, ka dhënë dorëheqje më 1974, përpara se të mund të fajësohej nga Senati për skandalin e Watergate.

Top Channel