Sot gjuha shqipe është e kërcënuar. Nga njëra anë ndikimi i gjuhëve të huaja po shkatërron strukturën e gjuhës sonë. Nga ana tjetër shteti ka hequr dorë së mbrojturi këtë pasuri kombëtare." /> Sot gjuha shqipe është e kërcënuar. Nga njëra anë ndikimi i gjuhëve të huaja po shkatërron strukturën e gjuhës sonë. Nga ana tjetër shteti ka hequr dorë së mbrojturi këtë pasuri kombëtare.">
Sot gjuha shqipe është e kërcënuar. Nga njëra anë ndikimi i gjuhëve të huaja po shkatërron strukturën e gjuhës sonë. Nga ana tjetër shteti ka hequr dorë së mbrojturi këtë pasuri kombëtare.
Nëse do ta mendonim gjuhën si një ndërtesë, do të vinim re që ajo ka dy kullona kryesore.
“Boshtet kryesore të gjuhës, rrënjët e saj janë sintaksa, lidhja e fjalive dhe leksiku”, tregon profesori Edmond Tupja.
Duke parë të folurën në publik, por edhe mënyrën e të shkruarit, ne kuptojmë që sot gjuha shqipe po cenohet në të dyja këto boshte. Gramatika e saj po shkatërrohet nga mënyra se si ne ndërtojmë fjalitë. Mënyra se si e vendosim kryefjalën, foljen, mbiemrin, kundrinorin.
“Thelbi i gjuhës, identiteti i gjuhës është sistemi gramatikor. Emrat lakohen, gjini mashkullore, gjini femërore, mbiemrat, foljet, zgjedhimi i parë, zgjedhimi i dytë etj. Sistemi gramatikor është si të thuash sistemi i gjuhës”, tregon profesori Emil Lafe
Pa e kuptuar, ne kemi filluar të mendojmë dhe të shprehemi në Anglisht.
“Folësit në televizion dhe të rinjtë e të rejat në banka përshembull i thonë fjalët me theks në rrokjen e parë, unë e kam emrin Ramiiii, ajo më thotë Raaami, anglishtja, gjermanishtja e ka theksin në rrokjen e parë në shumicën e fjalëve, ndërsa shqipja e ka theksin në rrokjen e fundit. Hasa…nit nuk i thua dot Ha…san, dhe Alviiinit nuk i thua dot Aaaalvin. Një anglizim i frikshëm i gjuhës”, tregon profesori Rami Memushaj.
“Nëqoftëse prishet struktura gramatikore e një gjuhe, atëherë gjuha mbaron”, – thotë profesori Valter Memishaj.
Ne kemi filluar ti drejtohemi njëri-tjetrit me fjalët shqip, por duke i renditur ato në fjali sipas formës anglisht.
“Siç e thatë ju, tani kemi siç ju e thatë. As you said it. Kopjojmë anglishten. Shqipja nuk e ka kështu, kryefjala vendoset në fund dhe jo në fillim të fjalisë”, thotë Prof. Dr. Edmond Tupja, gjuhëtar.
Nuk janë vetëm strukturat e fjalive që po e dëmtojnë gjuhën. Studiuesit venë re edhe një ngurtësim të gjuhës. Kjo do të thotë që për të shprehur diçka ne përdorim më pak fjalë se dikur.
“E kanë rrudhur ligjërimi shqip sepse përdoren disa fjalë si çelës kopil. P.sh thotë: tentoi, të vidhte, të godiste, të vriste, tentoi të bënte atë, këtë… nuk përdoren fjalët u përpoq, bëri çmos, bëri të pamundurën etj etj. Këto e zbukurojnë frazën”, tregon Prof. Dr. Rami Memushaj, Gjuhëtar.
Duke dashur të dukemi sa më të ditur dhe të lexuar, ne marrim një fjalë të huaj dhe e përdorim vazhdimisht. Por nga ana tjetër harrojmë shumë fjalë në shqip që tregojnë të njëjtën gjë.
“Kjo e thajnë shqipen, e rrudh, kjo është ajo që duhet gjuhë e drunjtë, që nuk përdor fjalët e shqipes por përdor ca kallëpe të huaja të cilat në shqip mund të mbulohen me 10 – 15 fjalë të ndryshme”, tregon Prof. Dr. Rami Memushaj, Gjuhëtar.
Një problem tjetër që po cenon fjalën shqipe është moslakimi i emrave. Ky është një shtrembërim i natyrës së vetë gjuhës. Pra ne përdorim fjalë shqipe, por duke i shtrembëruar ato sipas variantit të anglishtes.
“Dëmi tjetër është në morfologji, sidomos emri po dëmtohet shumë. Rama takon Merkel ose Spak fillon nga puna, kur në fakt duhej Rama takon Merkelin dhe spaku fillon nga puna. Lakohet emri. Është në natyrën e shqipes”, tregon profesori Rami Memushaj
Në pamje të parë kjo duket një çështje e parëndësishme, por nëse do të ishim të vëmendshëm lakimi ose mos lakimi i emrave ndikon shumë në kuptimin që merr e folura jonë.
Nga ana tjetër duke përkthyer nga anglishtja në mënyrë mekanike ne kemi prishur strukturën e gjuhës shqipe në përdorimin e përemrave.
Top Channel