Malet Madian, në veriperëndim të Arabisë Saudite janë zbardhur nga dëbora, ndërsa në Zvicër këtë fundjavë nuk kishte asnjë flokë bore, ndaj për garat e kupës së botës në ski, u desh të përdorej borë artificiale.
Ajo çfarë po ndodh në territorin e saudit nuk është një fenomen i jashtëzakonshëm, por mbetet gjithsesi mjaft i rrallë. Dhe kur kjo ndodh, kthehet në një festë për të gjithë dhe në një magnet të vërtetë për turistët, që e shohin me mjaft kërshëri. Majat e këtyre maleve janë të mbuluara më borë në dimër, por shumë rrallë ndodh që ajo të zbresë deri në këmbët e tyre.
Një front i ftohtë që i ka bërë temperaturat të ulen ndjeshëm ka goditur kohët e fundit gadishullin ballkanik, Turqinë e Iranin. Ai ka mbërritur deri në zonat malore të Libanit dhe në gadishullin arabik, duke sjellë me vete stuhi e reshje dëbore, me rezultate befasuese, që e kanë bërë në disa raste të jetë më ftohtë sesa në luginat alpine. Por bora në shkretëtirë është ajo që bën më shumë efekt. Ekspertët thonë se anomalia e këtij fillim viti i detyrohet një vorbulle të fortë polare, e cila qendrën e ka pasur në Polin e Veriut, por që kur qarkullon, ka lëvizje antiorare. Për rrjedhojë në Europën perëndimore, vendet nga Spanja deri në Britaninë e Madhe po shijojnë një mot të butë, madje në Londër, siç thotë Corriere della Sera, kanë nisur të çelin trëndafilat e parë.
Top Channel