Francë, qeveria e Macron tërhiqet nga reforma e pensioneve

14/01/2020 02:09

Trysnia e protestuesve në Francë e ka lëkundur qëndrimin e qeverisë. Përmes një letre, kryeministri Edouard Philippe u shpreh i gatshëm të tërhiqet nga pjesa e reformës së pensioneve, e cila e rrit daljen e moshës në pension nga 62 në 64 vjec. Presidenti Emmanuel Macron e përshkroi këtë si një “kompromis konstruktiv”.

Laurent Berger, sekretari i përgjithshëm i njërës prej sindikatave më të mëdha në vend, CFDT, e përshëndeti lëshimin e bërë nga ekzekutivi, duke e përshkruar si një “ fitore” për sindikalistët. “ Arritëm tërheqjen e moshës së pensionit, ky është një ngadhnjim për ne. Tani do të vazhdojmë aksionin tonë për një sistem më të drejtë e të unifikuar pensioni”, shkroi ai në Twitter.

Sindikata CGT ndërkohë tha se oferta e kryeministrit shërbente vetëm për t`i hedhur hi syve protestuesve dhe sqaroi përmes një deklarate se është më e vendosur se kurrë që ta ndalojë “ një herë e mirë këtë reformë”. Protestat kundër planeve të Emmanuel Macron për reformimin e sistemit vendas të pensioneve kanë hyrë tashmë në ditën e 38-të, dhe e kanë gjunjëzuar keqas transportin në pjesë të ndryshme të Francës, sidomos atë hekurudhor.

Të shtunën, tubuesit zbritën sërish në rrugët e Parisit dhe qyteteve të tjera, e marshimi i tyre në disa raste mori kthesë të dhunshme pasi grupe protestuesish thyen vitrina e dogjën kosha mbeturinash dhe billborde, ndërsa policia iu kthye me gaz lotsjellës.

Top Channel