Kostandino Vllasi

Athina e ka përsëritur vazhdimisht se në rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian do të vendosë kusht të drejtat e minoritetit grek në vendin tonë. E duket se fokusi kryesor i Qeverisë së Kyriakos Mitsotakis është përqëndruar te censusi i 2020-ës.

Në Derviçan është shënuar sot 29 vjetori i Omonia-s, ku i pranishëm ishte edhe Kostandino Vllasi, përfaqësues i Qeverisë greke. Vllasi theksoi se transparenca e Qeverisë shqiptare gjatë censusit do të dëshmojë nëse të drejtat e minoritetit grek respektohen.

“Transparenca prej qeverisë shqiptare gjatë censusit të 2020 do të dëshmojë nëse të drejtat e minoritetit respektohen, ndërsa pjesëmarrja e minoritetit në proces do të garantojë se ne si komunitet nuk bëjmë gabimet e së shkuarës duke kontribuar në reduktimin e numrit të minoritetit grek në Shqipëri”, është shprehur Kostandino Vllasi, raporton gazetarja e Top Channel, Kristina Fidhi.

Vllasi ka kërkuar nga të pranishmit të mos vazhdojnë gabimet e konflikteve mes tyre por të bashkohen për interesat e minoritetit.

“Duhet lënë mënjanë mikropolitika, por të mëshohet tek ato arsye që prodhojnë bashkim dhe zgjidhje”, është shprehur ai.

Vllasi bëri thirrje për mospërsëritjen e gabimeve në regjistrimin e popullsisë dhe atë të regjistrimit të pronave të grekëve, sidomos në Himarë. Ai i bëri thirrje minoritetit të regjistrohet si i tillë në Shqipëri gjatë vitit 2020 dhe të korrigjojë, sipas tij, gabimet historike të kryera në dëm të komunitetit grek pak vite më parë.

Në ceremoni morën pjesë krerë të Omonia-s, ambasadorja greke në Tiranë, konsulli grek në Gjirokastër, deputetë greke të partive të ndryshme, mitropoliti i Giirokastrës, kreu i PBDNj, Vangjel Dule, etj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA