Hong Kongu feston rezultatin e zgjedhjeve në Tajvan

12/01/2020 15:15

Qindra njerëz u mblodhën në Hong Kong të dielën në mbështetje të lëvizjes pro-demokraci.

Demonstruesit festuan rezultatet e zgjedhjeve presidenciale në Tajvan që i dhanë një mandat të dytë Tsa Ing-wen, të Partisë Demokratike Progresiste.

Banorët e Tajvanit i kanë ndjekur me vëmendje zhvillimet në Hong Kong.

Kina pretendon pushtet të plotë qeverisës mbi Tajvanin demokratik dhe këmbëngul për bashkim edhe duke përdorur forcën nëse do të ishte e nevojshme.

Kina administron Hong Kongun nën atë që qeveria komuniste e quan “një vend, dy sisteme”, e që nënkupton një shkallë të caktuar autonomie për atë që ishte dikur një territor britanik.

Protestat në Hong Kong nisën fillimisht kundër një projektligji që do të mundësonte ekstradimet në Kinë për procese gjyqësore. Por me tërheqjen përfundimtare të tij protestat janë zgjeruar duke përfshirë të tjera çështje siç është e drejta për të votuar e zgjedhur udhëheqësit e qytetit si dhe kryerja e një hetimi të pavarur rreth dyshimeve për sjellje brutale të policisë ndaj protestuesve. Prej fillimit të protestave janë arrestuar rreth 6.500 vetë.

Protestuesit në Hong Kong thonë se liritë e tyre po shkatërrohen vazhdimisht nën Presidentin Kinez Xi Jinping./Voa

Top Channel