I ftuar në “Top Talk” në Top Channel, analisti Frok Çupi trajtoi sot fenomenin Trump në raport me atë që po ndodh në krizën me Iranin. Çupi iu përgjigj pyetjeve nëse kjo është një përplasje mes civilizimesh, fetare apo sistemesh? Çfarë është fenomeni Trump dhe sfidat e tij.

Por duke ardhur në rrafshin shqiptar, Çupi komentoi edhe pretendimet e disa zërave në Shqipëri që e quajnë të dëmshëm “amerikanizimin” e theksuar të shqiptarëve.

Sipas analistit, është foshnjore ideja se shqiptarët po e teprojnë duke qenë pro-SHBA-së, pasi duke qenë një komb i vetëm dhe i vogël është fat i madh që kemi aleat këtë shtet të fuqishëm. Gjithsesi, Çupi pranoi se “amerikanizimi” është zbehur disi në Shqipëri.

“Kjo që thuhet është shumë foshnjore, të thuash se teproni duke qenë pro-Amerikës. Ne jemi një komb pa farefisni, jemi një komb i vetëm dhe i vogël e që për fatin tonë të madh kemi një aleat të madh si Amerika. Ne duhet të jemi syhapur dhe mendjehapur sa t’i shërbejmë aleatit në kuptimin e dëgjesës dhe lidhjes aq sa kërkojmë prej atij. Por kam frikë, po e shpreh sot këtu, se nuk ka atë pro-amerikanizëm në kombin shqiptar që ka patur pak kohë më parë”, u shpreh analisti.

Çupi tha se kjo zbehje e mbështetjes për Amerikën ka ndodhur edhe për shkak se në Shqipëri kanë hyrë ide të ndryshme dhe se udhëheqësit shqiptar nuk i ngjajnë fare Donald Trump dhe klasës politike në SHBA.

Ai shprehu frikën se këta udhëheqës do ta godasin fort aleancën tonë me SHBA-në.

“Kanë interferuar ide të ndryshme, liberalizimi majtist. Në Shqipëri nuk ka forca politike të djathta konservatore. Në Shqipëri nuk ka mendje të ndritura në udhëheqjen politike sa që të lënë vendin e tyre pas disa vitesh. Ne kemi udhëheqësa 50-30 vjeçarë të mbledhur në një esamblishment të kastave sunduese në Shqipëri që nuk i ngjajnë fare Trump, nuk i ngjajnë fare Amerikës. Unë kam frikë se këta do ta godasin fort aleancën tonë me Amerikën, por shpresoj se ne ta kemi përjetësisht një aleat kaq të fuqishëm sepse është vlerë kombëtare”, u shpreh analisti Frok Çupi në “Top Talk”.

  Frok Çupi në Top Talk: Trump, fenomeni që ndryshoi autoritetin e Amerikës

Top Channel