Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi zhvilloi një takim me strukturat e demokratëve në Vaun e Dejës, ku u pyet për çështje të ndryshme si Reforma Zgjedhore apo një rikthim ose jo i protestave të PD-së.

I pyetur sa i takon pikërisht kësaj, një rikthimi të mundshëm të ty, Bardhi u përgjigj:

“Pa asnjë diskutim, çdo mjet demokratik që sjell largimin e kësaj qeverie, përfshirë edhe protestat popullore, janë një mundësi reale për ditët në vijim.”

Por a ka një datë konkrete?

“Jo, nuk ka një datë konkrete për protestë. Sigurisht, kur të ketë një datë konkrete, ne do ta bëjmë publike. Është një vendim që merret nga Kryesia e partisë. Por, unë ju garantoj, në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm, që është një mjet demokratik, i cili nuk përjashtohet të aplikohet në ditët e ardhshme.”

Sa i takon Reformës Zgjedhore, nëse PD do të marrë pjesë ose jo, sekretari i Përgjithshëm u përgjigj:

“Ne jemi duke punuar në mënyrë intensive për reformën zgjedhore. Kemi drejt finalizimit të gjitha propozimet tona. Sigurisht, që pyetja nuk shtrohet nëse do të marrim pjesë apo jo ne. Sepse ne kemi shprehur gatishmërinë tonë për të bashkëpunuar për reformën zgjedhore. Deri në këtë moment që flasim, pala tjetër, kundërshtari ynë politik, PS, nuk ka hedhur asnjë hap, duke tentuar të vonojë realizimin e reformës zgjedhore. Ju kujtoj që realizimi i reformës zgjedhore dhe, më pas, implementimi i reformës zgjedhore, do të thotë zgjedhje të parakohshme lokale dhe parlamentare janë kërkesë e Bundestagut gjerman për hapjen e negociatave me Shqipërinë..”

Më tej, Bardhi u pyet: Opozita që është në Parlament bashkë me maxhorancën kanë bërë disa mbledhje dhe kanë bërë edhe disa propozime për reformën zgjedhore. Do t’u bashkoheni këtyre propozimeve?

” Ne gjykojmë që çështjet e reformës zgjedhore janë çështje të partive politike dhe jo të komisioneve brenda kuvendit monist për këtë kemi bërë një propozim. Propozimet e kaluara në atë komision parlamentar për të cilin ju i referoheni, sigurisht, që nuk zgjidhin asnjë nga shqetësimet reale që kanë zgjedhjet në Shqipëri, nuk i japin zgjidhje lidhjes së krimit me politikën, nuk i japin zgjidhje përdorimit dhe kërcënimit dhe intimidimit të punonjësve të administratës. Pra, nuk i japin zgjidhje asnjë prej problemeve madhore që kanë zgjedhjet në Shqipëri. Ndërkohë, shumë shpejt, ne do të prezantojmë propozimet tona konkrete që adresojnë secilin prej shqetësimeve që kanë, realisht, shqiptarët dhe që pengojnë realizimin e zgjedhjeve të ndershme, të lira dhe demokratike në Shqipëri.”
  Gazmend Bardhi nuk i ndahet Mark Babanit: Hajdut i certifikuar, Edi Rama i Vaut të Dejës

Top Channel