Kryetari i opozitës, Lulzim Basha i ka prezantuar sot një grupi investitorësh italianë, planin e zhvillimit ekonomik të Shqipërisë, sipas programit të PD, një programi që nis me çlirimin e tregut nga krimi, oligarkia e korrupsioni dhe që do të vijojë me lehtësimin e kushteve për të bërë biznes.

“Me politikat tona qeverisëse, Shqipëria do të jetë një vend tërheqës për investimet e huaja”, nënvizoi Basha në takimin e tij me drejtues të suksesshëm të industrisë, infrastrukturës, dhe logjistikës në rajonin e Friuli-Venezia-Giulia në Itali.

Basha ka publikuar disa fotografi në Fb lidhur me takimin, për të cilin ka dhënë detaje të tjera: “I informova për planin tonë ekonomik, i cili nis me çlirimin e tregut nga krimi, nga oligarkia dhe korrupsioni si dhe nga burokracia.

Përmes politikave ekonomike dhe lehtësirave për të bërë biznes, do ta kthejmë Shqipërinë në një vend tërheqës për investimet e huaja, konkurrues me çdo vend tjetër në rajon.

Zhvillimi ekonomik dhe punësimi, janë prioriteti kryesor i PD. Investimet e huaja janë jetike për rritjen e punësimit dhe zhvillimin e ekonomisë.

Plani ynë ekonomik ka një fokus të rëndësishëm në këtë drejtim. Por së pari duhet garantuar konkurrenca e ndershme dhe luftuar korrupsioni që sot i mban investitorët larg vendit tonë,”ka nënvizuar kryetari i opozitës.

Top Channel